Telegrafi

Sigal Prishtina fiton ndeshjen e parë të ‘play-offit’ ndaj Golden Eagle Yllit

Sigal Prishtina ka triumfuar në ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër Golden Eagle Yllit. Në takimin e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, kryeqytetasit fituan me rezultat 84-76.

Mysafirët luajtën më mirë në çerekun e parë, të cilin e fituan me katër pikë epërsi (14:18).

Mirëpo, në dhjetëminutëshin e dytë, bardhekaltrit përmbysën gjithçka (28:13) dhe shkuan në pushim me epërsi (42-31). Pikërisht, ky çerek ishte vendimtar për fitoren e skuadrës nikoqire.

Fraksionin e tretë të lojës e fitoi ekipi nga Suhareka (22:25), ndërsa çereku i fundit u mbyll me pikë të barabarta (20:20) dhe kjo bëri që Sigal Prishtina ta fitonte ndeshjen me tetë pikë epërsi.

Kujtojmë se kualifikimin në finale e siguron ekipi që i pari arrin tri fitore, prandaj ekipi nga kryeqyteti e ka bërë një hap përpara në këtë rrugëtim.

Gjysmëfinalja tjetër zhvillohet ndërmjet Bashkimit dhe Rahovecit, të cilët përballjen e parë e zhvillojnë të enjten.

Në finale të ‘play-offit’ do të takohen dy ekipet fituese të gjysmëfinaleve. Kampion i Superligës do të shpallet ekipi që arrin i pari tri fitore. /Telegrafi/