Informacionet në lidhje me rrëzimin e aeroplanit që thuhet se ka lënë të vdekur edhe Yevgeny Prigozhinin po vazhdojnë të publikohen – por shumë prej tyre vijnë nga media shtetërore ruse ose kanalet e Telegramit të lidhura me grupin e mercenarëve rus, Wagner.
Kjo do të thotë se gjersa ato mund të jenë të vërteta, ekziston mundësia që të jetë dezinformatë që po përhapet nga shteti rus, raporton skynews.
Pra, si do ta verifikojë Perëndimi atë që ka ndodhur dhe nëse Prigozhin ka vdekur?
Ish-oficeri i inteligjencës ushtarake britanike, Philip Ingram thotë se ne tashmë e dimë me siguri se një aeroplan është rrëzuar afër Moskës – ndoshta dikush e ka rrëzuar qëllimisht.
Kjo ofron një pikënisje për agjencitë perëndimore që të fillojnë të hulumtojnë se kush po fluturonte në atë zonë në atë kohë.
“Inteligjenca perëndimore ka shumë aftësi që monitorojnë hapësirën ajrore mbi Rusinë pothuajse vazhdimisht”, shpjegon ai.
“Mund të ktheheni pas dhe të shihni vendin nga ku u nis fluturimi dhe ku supozohej se do të shkonte aeroplani dhe kush ishte në listën e pasagjerëve”, shtoi ish-oficeri.
“Do të ketë metoda sekrete për të konfirmuar atë dhe metoda më pak sekrete të asaj që dalin në shtyp dhe në mediat sociale. Të gjitha do të bashkohen dhe më pas do të ndërtohet një pamje koherente”, përfundoi ai.
Ndryshe, Agjencia Federale Ruse e Transportit Ajror ka konfirmuar se shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin ishte në bordin e aeroplanit që u rrëzua në rajonin Tver, në afërsi të Moskës. Megjithatë, agjencia nuk e ka dhënë asnjë dëshmi pos listës me emrat e pasagjerëve. /Telegrafi/