Site icon Telegrafi

Si do të ndikojnë tunelet e Hamasit në ofensivën tokësore të Izraelit?

Një nga sfidat më të mëdha të ofensivës së pritshme tokësore izraelite në Rripin e Gazës qëndron nën sipërfaqe – është sistemi i tunelit të militantëve të Hamasit.

Organizata, të cilën SHBA, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera e kanë shpallur organizatë terroriste, ka nën kontrollin e saj, siç supozohet, rrjetin më të gjatë të tuneleve në botë. Vetëm Koreja e Veriut ka një rrjet kaq të madh, transmeton Telegrafi.

Duke pasur parasysh faktin se rrjeti i tuneleve në Rripin e Gazës është disa qindra kilometra i gjatë, sfida me të cilën përballet ushtria izraelite është unike, shkruante John Spencer nga akademia ushtarake amerikane West Point në një artikull të disa ditëve më parë.

“Kompleksi nëntokësor që përhapet në të gjithë Rripin e Gazës është një problem plot gracka tinëzare, nuk ka zgjidhje të përsosur”, tha ai.

Lexo po ashtu Izraelitët publikojnë audio-incizimin e militantit të Hamasit: Baba, me duart e mia kam vrarë dhjetë hebrenj

Rrjeti i tuneleve, siç mund të lexohet në disa raporte dhe vlerësime, përbëhet nga 1300 tunele me një gjatësi totale prej rreth 500 kilometrash. Disa tunele janë të vendosura në një thellësi deri në 70 metra nën sipërfaqe. Shumica e tuneleve janë, rreth dy metra të larta dhe dy metra të gjera.

Ekspertët supozojnë se në këto tunele, ndër të tjera, janë rreth 200 pengje të rrëmbyer nga Hamasi gjatë sulmit terrorist ndaj Izraelit më 7 tetor. Tunelet shërbejnë kryesisht si depo për armë, ushqim dhe ujë, dhe gjeneratorë, karburant dhe pajisje të tjera janë të vendosura atje.

Ekspertët supozojnë se edhe një pjesë e udhëheqjes së Hamasit fshihet nën tokë. Tunelet, siç besohet, mund të komplikojnë më tej operacionet luftarake tashmë komplekse në zonën me popullsi të dendur të Rripit të Gazës, mbi të cilën forcat izraelite kanë kryer bombardime hakmarrëse për dy javët e fundit, që nga sulmi i Hamasit.

“Tunelet u mundësojnë militantëve të lëvizin të sigurt dhe të lirë midis pozicioneve të ndryshme luftarake”, shkruan Spencer.

“Kështu ata neutralizojnë avantazhin e Izraelit në aspektin e armëve, taktikave, teknologjisë dhe organizimit”, shtoi ai.

Lexo po ashtu Përplasje verbale mes kreut të diplomacisë izraelite dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara: Në cilën botë jetoni ju?

Pra, jo vetëm për faktin se Hamasi akuzohet për abuzim me civilët dhe përdorimin e tyre si “mburoja njerëzore”, ushtria izraelite është përballur me problemin që shpesh thjesht nuk mund të bëjë dallimin midis objektivave ushtarakë dhe civilë.

Sipas ligjit ndërkombëtar, ajo është e përshkruar, thotë Mike Martin, specialist i psikologjisë dhe luftimeve në Kings College në Londër.

Disa ditë më parë, Izraeli u kërkoi banorëve të qytetit të Gazës që të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë siguri në jug të Rripit të Gazës.

Tunelet nëntokësore fillimisht u përdorën si një instrument për të anashkaluar bllokadën midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit, dhe më vonë Rripit të Gazës dhe Izraelit, për të kontrabanduar mallra përmes tij.

Për shkak të rritjes së investimeve izraelite në sistemet e vëzhgimit me ndihmën e dronëve dhe pajisjeve të tjera elektronike të spiunazhit, Hamasi ka investuar gjithnjë e më shumë para në zgjerimin e rrjetit të tunelit.

Vetëm gjatë operacionit ushtarak në Gaza në vitin 2014, ushtria izraelite zbuloi dimensionet e vërteta të rrjetit të tunelit të Hamasit. Pas kësaj, qeveria izraelite vendosi bllokada nëntokësore përgjatë kufirit me Rripin e Gazës. Kjo ishte për të parandaluar transferimin e Hamasit në anën izraelite.

Lexo po ashtu Izraelitët publikojnë pamjet e paedituara të sulmeve brutale të Hamasit në qytetet izraelite

Nuk është e lehtë të lokalizohen tunelet. Por ka mënyra të ndryshme për t’i nuhatur ato. Për shembull, me ndihmën e radarit dhe sistemeve të tjera teknologjike si sinjalet termike ose akustike.

Në të kaluarën, gaz lotsjellës ose agjentë kimikë përdoreshin zakonisht për pastrimin e tuneleve, siç shkruan Daphne Richemond-Barak, një nga ekspertët kryesorë në botë në këtë fushë, në librin e saj Underground Warfare. Por këto metoda ndoshta do të konsideroheshin të paligjshme sot, pohon autorja.

Përveç kësaj, është e mundur edhe bombardimi i tuneleve. Izraeli ka të ashtuquajturat bomba “Bunker Buster”, të cilat depërtojnë thellë nën tokë.

Por Rripi i Gazës është një nga zonat më të dendura të populluara në botë, i cili është i bllokuar nga njëra anë nga Izraeli dhe nga ana tjetër (kryesisht) nga Egjipti, rreth 40 kilometra i gjatë dhe midis 6 dhe 14 kilometra i gjerë, ku rreth 2.2 milionë njerëz jetojnë.

Edhe sikur ushtria izraelite të dinte se ku ndodheshin tunelet, bombardimi do të ishte jashtëzakonisht i ndërlikuar për shkak të karakteristikave specifike të Rripit të Gazës, ndoshta edhe i pamundur.

Përveç kësaj, Izraeli ka përdorur tashmë të ashtuquajturat “bomba precize” për të mbyllur ose bërë disa tunele të pakalueshme, sipas Korporatës Rand. Por shtohet se përdorimi i atyre bombave nuk pati efektin e pritur plotësisht.

Lexo po ashtu Deklarata e militantëve të Hamasit: Na ofruan 10 mijë dollarë dhe apartament për rrëmbimin e izraelitëve

Një sfidë shtesë për forcat izraelite është fakti se lufta në tunele nuk është e lehtë. Nën sipërfaqe është kryesisht errësirë ​​dhe ftohtë, tingujt nga armët që përdoren, janë shumë më të forta se në sipërfaqe, dhe për shkak të përdorimit të armëve ngrihet edhe një sasi e konsiderueshme pluhuri. Gjithashtu është e mundur të vendosen kurthe të shumta shpërthyese për palën kundërshtare në tunele.

Që nga viti 2014, ushtria izraelite ka përdorur forca speciale për të luftuar në tunele. Anëtarët stërviten në një mjedis të ngjashëm fizik ose virtual. Në mesin e pjesëtarëve të këtyre njësive ka edhe ushtarë të cilët janë të stërvitur për përdorimin e sensorëve të posaçëm, pra ushtarë që janë të trajnuar për të luftuar nën tokë. Robotët, ose qentë e trajnuar posaçërisht, i ndihmojnë në punën e tyre.

John Spencer i akademisë ushtarake të West Point thotë se ai kurrë nuk ka parë përgatitje të tilla për të bërë luftë në tunele. Spencer është një nga themeluesit e Grupit Ndërkombëtar të Punës që merret me luftërat e nëndheshme.

Daphne Richemond-Barak është gjithashtu një nga themelueset e atij grupi pune, por ajo është e rezervuar për operacionin e pritshëm.

Lexo po ashtu Gruaja që ishte mbajtur peng nga Hamasi përshkruan se si u rrëmbye dhe u fut në një 'rrjet të madh' tunelesh – kritikon autoritetet në Izrael

“Izraeli do të duhet të kryejë një operacion të gjatë dhe të gjerë ajror dhe tokësor për të shkatërruar edhe atë infrastrukturë nëntokësore”, shkroi ajo në një artikull për të përditshmen britanike Financial Times këtë muaj.

Sipas kësaj eksperte, ushtria mund t’i prishte tunelet, t’i shembte, t’i shkatërronte ose t’i mbyllte në ndonjë mënyrë tjetër. Por kjo do të ishte shumë e vështirë për t’u bërë, veçanërisht në kushtet kur forcat izraelite do të ishin vazhdimisht nën zjarr në një mjedis urban, shton ajo.

“Edhe në një skenar të tillë, që do të shkaktonte viktima të paimagjinueshme njerëzore, nuk ka gjasa që i gjithë rrjeti i tuneleve në Rripin e Gazës të shkatërrohet”, tha Daphen Richemond-Barak. /Telegrafi/

Exit mobile version