Telegrafi

Si do të jetë ndarja e posteve ministrore nëse arrihet marrëveshja LVV-LDK?

Derisa ende nuk është finalizuar marrëveshja për bashkëqeverisje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryesisht për shkak të postit të presidentit, në media janë përmendur disa mënyra se si mund të ndahet postet ministrore në qeverisjen e mundshme ndërmjet këtyre dy partive.

Kryetari i Pejës dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri mbrëmë në RTV Dukagjini ka konfirmuar se kjo parti do të ketë në udhëheqje Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e FSK-së, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Lexo po ashtu Muhaxheri: Gjasat të mos ndodhë koalicioni me LVV-në, janë zero

Kjo i bie që nga 12 ministri sa pritet t’i ketë qeveria Kurti, LVV-së do t’i mbesin 5 sosh, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Drejtësisë, e Zhvillimit Ekonomik, Shëndetësisë dhe ajo e Financave.

Ndërkohë, që ende nuk dihet saktësisht se kush do të udhëheqë me Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë për Kthim dhe Komunitete.

Ajo që dihet është se dy ministri i takojnë komuniteteve në Kosovë, njëra serbëve dhe njëra komuniteteve tjera.

Partitë tashmë janë shprehur se janë pajtuar mbi 90 % për programin qeverisës, por se problem po mbetet posti i presidentit.

Ndryshe, seanca konstitutive e legjislaturës së VII është caktuar për datën 26 dhjetor dhe kjo mund të jetë java vendimtare para se të dihet se a do të ketë bashkëqeverisje LVV-LDK.  /Telegrafi/