Kondensimi ose lagështia e tepërt në shtëpinë tuaj mund të jetë e bezdisshme në rastin më të mirë dhe seriozisht e dëmshme për shëndetin tuaj në rastin më të keq.
Ky është një problem me të cilin përballen mijëra familje – veçanërisht në këtë periudhë të vitit. Në fakt, rreth një në pesë prona ka një problem lagështie.
Ndonjëherë problemi mund të zgjidhet vetëm duke përmirësuar strukturën e ndërtesës, ose duke përdorur zgjidhje të shtrenjta, si p.sh. përdorimi i një dehumidifikuesi (pajisje që largon lagështinë e tepërt nga ajri) ose instalimi i ventilatorëve ose suvasë izoluese.
Megjithatë, ka disa zgjidhje të lira që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit. Nicholas Donnithorne, menaxher britanik i shërbimeve teknike në Rentokil, shpjegoi se teoria është e thjeshtë.
“Sa më pak lagështi të prodhoni në shtëpi, aq më pak kondensim do të krijohet. Prandaj mendoni se si do ta largoni lagështinë gjatë punëve të përditshme”, citon The Sun fjalët e tij.
Ka disa mënyra falas për ta bërë këtë: Hapja e dritareve gjatë gatimit dhe bërja e dushit me dritaren e hapur ose ventilatorin lëshuar, do të ndihmojë. Po kështu edhe tharja e rrobave të lagura në banjë me dritare të hapur, sepse ndihmon që lagështia të dalë jashtë, që do të thotë se nuk do të qëndrojë në shtëpinë tuaj.
Gjithashtu, nëse mundeni, duhet ta mbani konstante temperaturën në shtëpi, sugjeroi ai. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon 18-20°C si temperaturë të mirë, me lagështi relative 50-60 për qind. /Telegrafi/