Telegrafi

Si reagoi Rusia ndaj vendimit që Ukraina do të furnizohet me raketa me rreze të gjatë veprimi

Ministria e Jashtme e Rusisë thotë se një vendim i Mbretërisë së Bashkuar për të transferuar raketat me rreze të gjatë veprimi Storm Shadow në Kiev është një “përshkallëzim serioz i situatës”.

Në një deklaratë të formuluar, ministria tha se Moska rezervoi të drejtën për të “marrë të gjitha veprimet e nevojshme” në përgjigje të këtij vendimi, transmeton Telegrafi.

“Ne e konsiderojmë këtë vendim si një hap tjetër jashtëzakonisht armiqësor nga Londra, që synon të shtyjë më tej Ukrainën me armë dhe të çojë në një përshkallëzim serioz të situatës në zonën e operacionit special ushtarak”, thuhet në deklaratë.

Rusia thotë se transferimi i raketave me precizion të lartë, të cilat kanë një rreze prej mbi 250 kilometra, demonstron një “nivel të paprecedentë të përfshirjes së Britanisë së Madhe në konfliktin ukrainas”.

Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar Ben Wallace konfirmoi dje se raketat do t’i dorëzoheshin Kievit, duke thënë se ato iu ofronin forcave të armatosura të Ukrainës “shansin më të mirë për t’u mbrojtur kundër brutalitetit të vazhdueshëm të Rusisë”. /Telegrafi/