Site icon Telegrafi

Si mund të ndikojë dimri në luftën në Ukrainë?

Ndërsa forcat ukrainase dhe ruse vazhdojnë të luftojnë në temperatura nën zero, ka një grup të ri sfidash me të cilat përballen.

Në këtë drejtim, Sky News ka hedhur një vështrim në atë që kanë thënë ekspertët për motin rraskapitës që të dyja palët duhet të luftojnë në ditët në vazhdim, përcjell Telegrafi.

Këtë muaj, drejtoresha e inteligjencës amerikane, Avril Haines, tha se luftimet në vend do të vazhdojnë të ngadalësohen në muajt e dimrit.

Ajo tha për NBC News: “Ne po shohim një lloj ritmi të reduktuar të konfliktit… dhe ne presim që kjo ka të ngjarë të jetë ajo që shohim në muajt e ardhshëm”.

Ndërkohë Jack Watling, ekspert për luftën tokësore në “Royal United Services Institute”, tha se trupat ruse të sapomobilizuara nuk do të ishin aq të përgatitura për klimën sa ushtarët ukrainas.

Në një artikull këtë muaj, Watling shkroi: “Për ushtrinë ruse, numri i madh i personelit që është futur në shërbim ka marrë trajnim dy ose tre javë dhe është pajisur me pajisjet minimale luftarake”.

Dhe muajin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar gjithashtu vuri në dukje se rënia e temperaturave ka të ngjarë të ndikojë në vendimet në fushën e betejës.

Në raportin e tij ushtarak ajo tha: “Dimri do të sjellë një ndryshim në kushtet e konfliktit si për forcat ruse ashtu edhe për ato ukrainase. Ndryshimet në orët e ditës, temperaturat dhe moti do të paraqesin sfida unike për ushtarët luftarakë”. /Telegrafi/

Exit mobile version