Telegrafi

Shumë ushtarë u futën në të dhe deshën t’i ikin dronit ukrainas, por tanku rus përfundoi në fushën e minuar

Ushtria ukrainase në kundërofensivë ka minuar shumë zona të gjelbëruara në rajonet e pushtuara nga ushtria e Kremlinit, me qëllim që t’ia pamundësojë lëvizjen e mëtejme të makinerisë luftarake ruse.

E një prej mjeteve që ranë në këto fusha të minuara, është tanku rus brenda të cilit u futën shumë ushtarë me qëllimin që t’i ikin dronit që po i ndiqte nga pas, transmeton Telegrafi.

Madje në një moment një ushtar që vraponte pas mjetit të blinduar për ta shpëtuar kokën, nuk arrin të ngjitet në të. Megjithatë ky dështim i tij doli të jetë me shumë fat për të, pasi pa kaluar shumë metra tanku përfundoi mbi minë.

Kështu i shpëtoi vdekjes, kurse tanku u shkatërrua plotësisht nga mina anti-tank, e pamjet janë filmuar nga ajri me dron që po ndiqte çdo lëvizje të ushtrisë së Vladimir Putinit.

Raste të ngjashme janë regjistruar shumë ditëve të fundit, në veçanti nga fillimi i kundërofensivës, që po i kushton shtrenjtë Putinit, i cili ka pësuar humbje të mëdha si në njerëz ashtu dhe në makineri luftarake.

Në anën tjetër separatistët pro-rusë në rajonet e pushtuara nga Kremlini, kanë njoftuar se planifikojnë mbajtjen e referendumeve me të cilët mëton t’i bashkohet Rusisë. /Telegrafi/