Site icon Telegrafi

Më shumë se 2,000 fëmijë të vrarë në Gaza – mjekët paralajmërojnë se mungesa e karburantit është ‘një dënim me vdekje’ për banorët atje

Agjencitë e ndihmave po bëjnë thirrje për një armëpushim në Gaza, pasi mjekët paralajmërojnë se një bllokadë izraelite ndaj karburantit do të thotë se shumë foshnje të cenueshme dhe njerëz të plagosur në spitale së shpejti do të vdesin.

Madje, një agjenci thotë se të paktën 2,000 fëmijë në Gaza janë vrarë në javët e fundit.

Ndryshe, Izraeli ka intensifikuar fushatën e bombardimeve në brezin e rrethuar, ndërsa ministri i tij i mbrojtjes Yoav Gallant tha të hënën se vendi po përgatitet për një “operacion shumëpalësh” mbi grupin militant Hamas që kontrollon Gazën nga “ajri, toka dhe deti”.

Udhëheqja izraelite është zotuar të zhdukë Hamasin në përgjigje të sulmeve terroriste vdekjeprurëse të 7 tetorit dhe më pas, në të cilat 1,400 njerëz, kryesisht civilë, u vranë dhe më shumë se 200 u morën peng.

Lexo po ashtu “Injorimi i kostove njerëzore mund të…”: Obama paralajmëron Izraelin për veprimet në Gaza

Të hënën, Hamasi liroi dy shtetas izraelitë – të dyja gra të moshuara – mes presionit ndërkombëtar në rritje për të siguruar lirimin e pjesës tjetër të atyre që u rrëmbyen dhe u dërguan në Gaza.

Ndërsa brenda Gazës, të shkëputur nga bota nga një bllokadë pothuajse totale, sulmet ajrore izraelite kanë shkatërruar lagje të tëra, duke rrafshuar shtëpi, shkolla dhe xhami.

Në këtë kontekst, “Save the Children” tha të hënën se mbi 1 milion fëmijë janë “të bllokuar” në Gaza pa vend të sigurt për të shkuar dhe paralajmëroi për ndikimet shkatërruese të mungesës së ilaçeve dhe energjisë elektrike për të mbështetur infrastrukturën jetike shëndetësore në enklavë.

“Të paktën 2,000 fëmijë janë vrarë në Gaza gjatë 17 ditëve të fundit dhe 27 të tjerë janë vrarë në Bregun Perëndimor”, ka thënë agjencia e ndihmës të hënën, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të mbrojtur jetët e fëmijëve dhe komunitetit ndërkombëtar që t’i mbështesë ato përpjekje”, ka shtuar Save the Children, duke shtuar se sulmet ajrore izraelite po “vrasin dhe plagosin fëmijë pa dallim”.

Ndërkohë shifrat e fundit nga Ministria Palestineze e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi në Gaza thanë se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në Rrip ka arritur të paktën 5,087, duke përfshirë 2,055 fëmijë.

“Sistemi shëndetësor [në Gaza] ka arritur fazën më të keqe në historinë e tij”, tha zëdhënësi i ministrisë së shëndetësisë Ashraf Al-Qudra në një deklaratë të martën. /Telegrafi/

Exit mobile version