Site icon Telegrafi

Më shumë se 200 anëtarë staf i BE-së nënshkruajnë një letër ku shprehin shqetësimin për Gazën

Më shumë se 200 anëtarë të stafit të institucioneve dhe agjencive të BE-së kanë nënshkruar një letër ku shprehin “shqetësim në rritje” për reagimin e unionit ndaj krizës humanitare në Gazë, duke argumentuar se ajo bie ndesh me vlerat e saj thelbësore dhe qëllimin për të promovuar paqen.

Bëhet e ditur se letra e nënshkruar nga 211 persona në cilësinë e tyre personale si qytetarë dhe drejtuar tre zyrtarëve kryesorë të BE-së, fillon duke dënuar sulmet e 7 tetorit “me termat më të fortë”.

Letra paralajmëron se “apatia e vazhdueshme e BE-së ndaj gjendjes së vështirë të palestinezëve” rrezikon normalizimin e një rendi botëror, ku përdorimi i forcës, më tepër se një sistem i bazuar në rregulla, përcakton sigurinë e shtetit, integritetit territorial dhe pavarësinë politike.

“Të qëndrosh duarkryq do të thotë dështim i projektit evropian. Kjo nuk mund të ndodhë në emrin tonë”, thuhet në letër.

Siç tregon edhe organizatori Zeno Benetti, letra është shkruar nga një grup i vogël punonjësish, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

“Ne nuk mund të besojmë që liderët tanë që ishin aq të zëshëm për të drejtat e njeriut, papritmas janë kaq të heshtur për krizën në Gazë. Është sikur papritur na kërkuan të mbyllnim një sy mbi vlerat tona dhe mbi vlerat për të cilat gjoja po punonim. Dhe për ne, kjo nuk është e pranueshme”, tha Benetti.

Lexo po ashtu Një epokë e re diplomacie - çfarë do të thotë për botën njohja e Palestinës nga Irlanda, Spanja dhe Norvegjia

Organizatorët kishin shpresuar të arrinin 100 nënshkrime, shifër kjo që u tejkalua me shpejtësi.

Një version i saj bërë publik së fundmi, por nuk përfshin emrat e atyre që kanë nënshkruar pasi atyre u është premtuar konfidencialitet nga organizatorët.

Letra nënvizon shumë OJQ që kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për një armëpushim, duke shtuar: “Paaftësia e BE-së për t’iu përgjigjur këtyre thirrjeve gjithnjë e më të dëshpëruara është në kundërshtim të qartë me vlerat që BE-ja mbështet dhe që ne mbështesim”.

Gjithashtu, me anë të nënshkrimeve, anëtarët kërkojnë të BE-ja të bëjë thirrje zyrtarisht për një armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e pengjeve.

Benetti theksoi se nisma nuk ka për qëllim të jetë pro-palestineze dhe as nuk ka për qëllim marrjen e një qëndrimi ndaj konfliktit.

“Përkundrazi, ne nënshkruam sepse mendojmë se ajo që po ndodh po rrezikon parimet e së drejtës ndërkombëtare që ne i konsiderojmë të rëndësishme dhe që i marrim si të mirëqena”, tha ai.

Ndryshe, letra pritet t’i dërgohet Ursula von der Leyen, presidentes së Komisionit Evropian, si dhe Roberta Metsola, presidentes së Parlamentit Evropian dhe Charles Michel, i cili kryeson Këshillin Evropian. /Telegrafi/

Exit mobile version