Telegrafi

Shtrenjtimi i çmimeve të produkteve ushqimore, miratimi i Buxhetit 2022 dhe ndarja shtesës financiare për pensionistët e rastet sociale – top ngjarjet e javës në ekonomi

Miratimi i Buxhetit për vitin 2022 nga Qeveria e Kosovës, ndarja e 100 eurove shtesë për pensionistët për muajin nëntor dhe dyfishimi i pagesave të përfituesve të skemave sociale për dy muaj, konfirmimi i Agjencisë së Statistikave për shtrenjtim të çmimeve të produkteve ushqimore dhe anulimi i vendimit për shpronësimin e pronave për projektin e autostradës Prishtinë-Pejë, ishin disa nga top ngjarjet kryesore që e karakterizuan këtë javë në ekonomi.

Ditëve të fundit është vërejtur një rritje e theksuar e çmimeve për produktet bazë të konsumit. Ku sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), norma vjetore e inflacionit në muajin shtator ka arritur në 4.9 për qind.

Agjencia thotë se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere.

“Bukë dhe drithëra me 1.5 për qind, mish me 1.9 për qind, qumësht, djathë e vezë me 7.7 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.2 për qind, perime me 19.7 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1 për qind, pijet alkoolike me 3.8 për qind, duhan me 2.7 për qind, gaz me 10.6 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 4.6 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 26.7 për qind, shërbime për transport me 2.2 për qind, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20.3 për qind, pushime të organizuara turistike me 8.9 për qind, shërbime hoteliere me 2.3 dhe shërbime financiare me 6 për qind”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.

Lexo po ashtu Agjencia e Statistikave konfirmon rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë, rëndohet buxheti familjar

Sipas ASK-së, një litër vaj ushqimor në muajin shtator 2020 kushtonte 1.06 euro, ndërsa një vit më vonë ky produkt shitet për 1.54 euro. Gjatë shtatorit të vitit të kaluar, një kilogram oriz ka kushtuar 1.38 euro ku sivjet blihet për 1.42 euro, kurse 30 copë vezë gjatë muajit shtator janë shitur 2.57 euro nga 1.95 euro.

Pa rritjes së çmimeve, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) thotë se kjo ka rënduar gjendjen sociale të punëtorëve dhe qytetarëve në vend.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) po ndjekë me shqetësim rritjen e çmimeve të artikujve esencial në Kosovë. Kjo e rëndon edhe me tepër gjendjen sociale të punëtorëve dhe të qytetarëve në vend. Fatkeqësisht edhe pse ka rritje të vazhdueshme të çmimeve edhe për artikujt esencial siç janë mielli, vaji, sheqeri, etj., nuk kemi rritje pagash për punëtorët si dhe paga minimale në vend vazhdon të mbetet e njëjtë”, thuhet në reagimin e BSPK-së.

Po ashtu, kryeministri Albin Kurti ka reaguar lidhur me ngritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë. Ai me anë të një shkrimi në Facebook, ka theksuar se rritja e këtyre çmimeve është e ndikuar botërisht, gjë që po ndikon në ngritjen e tyre edhe në vend.

Kurti ka treguar se ditëve në vijim do të ketë pako të masave për t’i ndihmuar qytetarët.

“Kosova, sikurse e gjithë bota, i është ekspozuar një inflacioni që kryesisht vie si rezultat i katër faktorëve: shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë, rikthimit të konsumit botëror më shpejt sesa që mund të përshtatej prodhimi i cili gjatë pandemisë ishte stopuar, rritja në nivel global e çmimit të energjisë dhe spekulantët e ndryshëm që bëhen profiterë të krizave. Shkalla e inflacionit sipas Agjencisë së Statistikave në fund të muajit shtator ishte 4.9 për qind, gjë që është në linjë me ngritjen globale të çmimeve për disa produkte”, ka shkruar Kurti, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Rritja e çmimeve të produkteve, Kurti: Do të kemi pako masash për t'u ndihmuar qytetarëve

Qeveria e Kosovës ka marr vendim që t’ua ndajë nga 100 euro shtesë të gjithë pensionistet për muajin nëntor. Ndërsa, për muajin nëntor e dhjetor dyfishohen pagesat e përfituesve të skemave sociale.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati në mbledhjen e Qeverisë, ka thënë se nga ky vendim do të përfitojnë 300 mijë familje.

“Me këtë vendim, synohet mbështetja e kategorive më të cenueshme, pra do të ndajmë 100 euro shtesë për nga skema pensionale që paguan shteti, për deri sa pensioni nuk kalon 500 euro, përkatësisht 300 mijë familje do të përfitojnë nga kjo masë. Do të përfitojnë 200 mijë familje dhe 20 mijë familje nga pensionet e luftës dhe 30 mijë pensionist të kategorive të tjera”, ka thënë Murati.

Lexo po ashtu Pensionistët do të marrin 100 euro shtesë për nëntor, dyfishohen pagesat e përfituesve të skemave sociale për dy muaj

Ai ka shtuar se për muaj nëntor dhe dhjetor janë dyfishuar skemat sociale.

“Në kuadër të masës 3.2 për mbështetjen e pensionistëve dhe familjeve me asistencë sociale, ky vendim synon dyfishimin e pagesës për dy muajt e mbetur të vitit. Pra, rritja do të jetë dyfish prej 260 euro. Duke marr parasysh rritjen e çmimeve dhe koston e jetesës që t’iu dalim në ndihmë 20 mijë familjeve që përfitojnë nga kjo masë, me masën paraprake që preken direkt nga masat”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Qeveria ka marr vendim që anulohen shpronësimet e pronave të cilat prekën nga realizimi i autostradës Prishtinë-Pejë.

“Qeveria me datën 17 dhjetor 2019 kishte nxjerrë vendim për shpronësimin e pronave të cilat preken nga realizimi i autostradës Prishtinë-Pejë. Objekti i shpronësimit i është nënshtruar auditimit, ku të gjeturat e Auditorit shpërfaqin shkelje të shumta. Janë fryrë kostot në dëmtim të buxhetit”, kishte thënë ministri Murati.

Në reagimin e bërë për media, Qeveria kishte theksuar se bëhet fjalë për shpërputhjen prej mbi 12 milionë eurove.

“Pas gjetjeve të Auditorit që shpërfaqin shkelje të shumta në procesin e shpronësimit për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Klinë- Zahaq dhe me qëllim të ndaljes së keqpërdorimit dhe abuzimit të parasë publike, përkatësisht për shpërputhjen prej mbi 12 milionë eurove, [sot] edhe formalisht Qeveria anuloi këtë proces të dëmshëm”, thuhej në njoftim.

Në vitin 2019, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për shpronësimin e pronave të paluajtshme për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Pejë.

Lexo po ashtu Qeveria anulon vendimin për shpronësimin e pronave, të cilat preken nga projekti i autostradës Prishtinë-Pejë

Në mbledhjen e saj të fundit, Qeveria ka miratuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022.

Ministri Murati gjatë prezantimit të Buxhetin ka theksuar se për këtë vit do të jetë 2.78 miliardë euro.

“Si tërësi Buxheti i vitit 2022 pritet të jetë 2 miliardë e 748 milionë euro, duke shënuar rritje prej 8.7 për qind, krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti. Të hyrat buxhetore pritet të jenë në vlerë prej 2,364 milionë euro, gjë që paraqet rritje prej 15 për qind në krahasim me vitin paraprak”, ka deklaruar Murati.

Ndërsa, kryeministri Kurti ka thënë se më anë të këtij buxheti, do të ndërtohen çerdhe e do të ndihmohen pensionistë.

“Buxheti i planifikuar për vitin 2022 parasheh investim në arsim e edukim me ndërtimin e 50 çerdheve të reja në tërë vendin, shkollimin falas për të gjithë studentët, si dhe ndarjen e 2 mijë bursave shtesë për studentët më të mirë. Më tutje, Buxheti i vitit 2022 synon të ndihmojë edhe ekonominë familjare me ndarjen e 45 milionë euro për të mbështetur nënat me Shtesat për Lehona e Shtesat për Fëmijë, ndarjen e 35 milionë eurove më shumë për kategoritë pensionale e sociale, ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro dhe shtesat për skemat sociale prej 30 për qind të bëhen të përhershme”, ka thënë Kurti.

Lexo po ashtu Qeveria miraton Buxhetin e vitit 2022 prej 2.75 miliardë euro, 8.7% më i lartë se i vitit 2021

Gjatë kësaj jave, kanë protestuar punëtorët e Lotarisë së Kosovës dhe ata të Ferronikelit. Përfaqësues të Sindikatës së Ferronikelit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për 1 mijë punëtorët, të cilët që nga 8 tetori janë pa punë.

Ndërsa, punëtorët e Lotarisë së Kosovës po kërkojnë ndryshimin e Ligjit dhe marrjen e pagave. Ata po ashtu kërkuan që të rikthehen në punë meqë tash e sa kohë janë të papunë. /Telegrafi/