Site icon Telegrafi

Shtohen kritikat ndaj Presidentit Trump për ‘kaosin’ në Siri

SHBA ndërmjetësuan një armëpushim mes Turqisë dhe kurdëve në Siri. Ajo do të zgjidhë problemet, që ka shkaktuar vetë Trump. Kritikat ndaj presidentit amerikan janë shtuar.

Presidenti Donald Trump nuk shprehet shumë i shqetësuar në publik për situatën në kufirin turko-sirian. Të enjten e kaluar, ai e krahasoi konfliktin mes ushtrisë turke dhe trupave kurdë si grindje mes dy fëmijëve.

“Nganjëherë ata duhet të luftojnë një kohë. Pastaj i ndajmë nga njëri-tjetri”, tha ai para përkrahësve në Teksas.

500 vetë kanë humbur jetën ndërkohë nga fillimi i ofensivës ushtarake turke javën e kaluar, mes tyre 72 civilë. Të dhënat vijnë nga Qendra Vëzhguese Siriane për Drejtat e Njeriut dhe mund të verifikohen me vështirësi. Nga të dhëna të tjera bëhet e ditur se 300 mijë vetë kanë marrë arratinë. UNICEF bën të ditur po ashtu, se luftimet kanë shkatërruar një depozitë uji në rajon që furnizonte 400 mijë vetë me ujë të pijshëm. Me zënie kalamajsh kjo nuk ka të bëjë aspak.

Më 6 tetor presidenti amerikan bëri të ditur tërheqjen e trupave amerikane nga Siria Veriore. Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë thuhet se, “së shpejti Turqia do të fillojë me operacionin e planifikuar për një kohë të gjatë në Sirinë Veriore” dhe se ushtria amerikane nuk do t’i mbështesë trupat turke në këtë operacion. Por nuk bëhej fjalë për dënimin e operacionit. Megjithëse ky operacion drejtohej kundër milicëve kurdë, që ishin aleatët më të rëndësishëm të SHBA në luftën kundër të ashtuquajturit Shteti Islamik.

Lexo po ashtu Erdogan: SHBA-të i kanë 120 orë që të largojnë luftëtarët kurdë, përndryshe rifillojnë sulmet turke mbi YPG-në

Pak pas marshimit të ushtrisë turke në Siri, dhe pas kritikave të ashpra nga vetë republikanët, Trump kërcënoi me “shkatërrim të plotë” të ekonomisë turke. Të enjten, ai bëri të ditur, se zëvendëspresidenti, Mike Pence udhëtoi në Ankara për të negociuar një armëpushim dhe se janë fshirë sanksionet e planifikuara.

“Por ajo që presidenti amerikan prezantoi si sukses me krenari ishte zgjidhja e një problemi që ai e shkaktoi vetë. Vendosen sanksione për një aksion, për të cilin Turqia kishte besuar, se kishte marrë dritën e gjelbër nga Shtëpia e Bardhë”, thotë Frances Brown nga Qendra Carnegie për Paqen Botërore në bisedë me Deutsche Wellen.

Bulent Aliriza, themelues dhe drejtor i institutit turk, Qendra për Studimet Ndërkombëtare Strategjike, thotë për DW, se nuk i kujtohet ndonjë rast, kur tre politikanë, Pence, sekretari Pompeo dhe këshilltari për sigurinë Robert O’Brien të shkojnë diku diku së bashku “për të vënë rregull në rrëmujën që shkaktoi Trump”.

Lexo po ashtu SHBA-Turqi, dakord për armëpushim në Siri - por Ankaraja refuzon ta quajë të tillë

Thuhet se, këshilltarët ushtarakë nuk u konsultuan para se Shtëpia e Bardhë të jepte sinjalin për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria Veriore. Ndryshimet e vazhdueshme të vëna re ditët e fundit, duket se e konfirmojnë këtë.

“Mendoj, se mund të thuash, se nuk ka një strategji serioze. Përgjegjësit duhet të nxitojnë shumë tani që të dalin me një strategji të re”, thotë Michael Singh, nga Instituti i Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt dhe ish-këshilltar i ministrit të Jashtëm, Colin Powell.

Sipas ekspertëve megjithatë këto 12 ditë kanë shkaktuar dëme të mëdha. Kurdët ndjehen të tradhtuar nga SHBA, Turqia ndjehet e provokuar nga Trump, aleatëve të tjerë SHBA i tregoi me sjelljen e saj arbitrare, se nuk mund të mbështetesh tek Uashingtoni. Sipas ekspertes Brown kundërshtarët e SHBA përhapin me dëshirë se vendi ynë nuk është më një partner i besueshëm.

Ndërkohë lidhur me strategjinë në Siri, e cila ekzistonte dikur, SHBA kishte tre synime: të mposhte Shtetin Islamik, të reduktonte influencën e Iranit në Siri dhe të fillonte një transformim politik të pakthyeshëm.

“Zhvillimet e fundit tregojnë, se me gjasë mund të kemi një forcim të ISIS-it. Ato me siguri do ta forcojnë ndikimin e Iranit në Siri, kështu në të tre pikat kemi pësuar kthim mbrapa”, tha Singh për DW.

Lexo po ashtu SHBA tërhoqi ushtrinë, Erdogan filloi aksionin ushtarak, pastaj mori një letër kërcënuese nga Trump - krejt çfarë ndodhi deri te marrëveshja e armëpushimit në Siri

Tani edhe kreu i republikanëve në senat, Mitch McConnell ka dalë kundër politikës së Donald Trump.

“Tërheqja e trupave amerikane nga Siria është një gabim i rëndë strategjik”, shkroi ai në Washington Post.

Ky gabim e bën më të pasigurt Amerikën dhe dobëson partnerët tanë të rëndësishëm. Ai bëri thirrje urgjente që të mbetet një numër ushtarësh amerikanë në Siri.

Nuk dihet se si do të ecë marrëveshja pesë ditore e armëpushimit për tërheqjen e kurdëve, 32 kilometra në thellësi të Sirisë dhe përgjatë kufirit 440 kilometra mes dy vendeve. Ankaraja kërkon që kjo “zonë sigurie” të braktiset nga të gjithë milicët kurdë që për Turqinë janë një organizatë terroriste. Plani është zhvendosja e miliona refugjatëve sirianë aty.

Të martën e ardhshme, Erdogan takohet me presidentin rus, Putin. Ekspertët janë të mendimit, se ndikimi rus në rajon pas tërheqjes së SHBA do të rritet. Se si do të veprojë në të ardhmen Turqia, varet edhe nga ajo, se çfarë mbështetje do t’i japë Erdoganit, presidenti Putin. /DW/

Exit mobile version