Pas sulmit terrorist në veri të Kosovës, ku përgjegjësinë e ka marrë i sanksionuari i SHBA-së, Milan Radoiçiq, Serbia ka grumbulluar trupat ushtarake në kufirin me Kosovën.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar urgjentisht shtetit serb që të largojnë ushtrinë nga kufiri me Kosovën.
Kjo kërkesë ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare, të cilat kanë raportuar për kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, transmeton Telegrafi.
Shtëpia e Bardhë paralajmëron ushtrinë serbe të largohet nga kufiri i Kosovës, shkruan gazeta amerikane thenewyorktimes.
NATO rrit forcën e saj në Kosovë ndërsa SHBA shqetësohet për grumbullimin e trupave serbe në zonë, raporton mediumi associatedpress.
Edhe tre mediumet britanike, thetelegraph, bbc dhe theguardian, theksojnë kërkesën e SHBA-së që Serbia t’i tërheqë trupat nga kufiri me Kosovën.
NATO shton forcat në Kosovë, ndërsa SHBA i kërkon Serbisë të tërhiqet nga kufiri, njofton politico.eu.
Edhe mediumi arab, aljazeera shkruan se SHBA-ja është e shqetësuar për mobilizimin e madh ushtarak serb pranë Kosovës.
Kujtojmë se shtimi i trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor. /Telegrafi/