Telegrafi

Shteti n’zgafelle: Pasuritë e “Trepçës”, kurrë nuk i shfrytëzuan shqiptarët

Autori i librit “Trepça”, Minir Dushi, thotë se minierat e saj asnjëherë nuk janë shfrytëzuar nga shqiptarët. Ato i kanë shfrytëzuar romakët, gjermanët, serbët, anglezët dhe përsëri serbët.

Libri i botuar në vitin 2002, bashkë me rrëfimin për “Trepçën”, mbetet po i njëjti edhe tash 13 vjet më vonë. Që nga ajo kohë nuk është bërë asnjë përparim, pasi institucionet e Kosovës kanë dështuar që këtë gjigant metalurgjik ta marrin nën menaxhim.

“Trepça” ka mbetur e pazhvilluar dhe me status të paqartë. Qeveria e Kuvendi nuk kishin ndërmarrë asgjë, në përjashtim të debateve në Kuvend dhe hartimit të rezolutave. Kjo e kishte detyruar Agjencinë Kosovare të Privatizimit të kërkonte në vazhdimësi shtyrjen e afateve.

Por, nuk ishte arsyeja e vetme, pasi edhe AKP-ja nuk i kishte kryer detyrat dhe obligimet që dilnin nga Ligji për riorganizimin e ndërmarrjeve të veçanta dhe aseteve të tyre. /Koha Ditore/