Telegrafi

Shtetet e Ballkanit Perëndimor krijojnë fond zhvillimor

Ohri i Maqedonisë do të jetë vendi ku të hënën do të mblidhen ministrat e jashtëm të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI).

Kosova ende nuk është anëtare e CEI-së, por në margjinat e këtij takimi do të nënshkruhet edhe themelimi i Western Balkans Fund, pjesë e të cilit do të jetë edhe Kosova.

Këshilltari i zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, Ardian Arifaj, ka thënë për Telegrafin se në themelimin e këtij fondi Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori Ylber Hysa, i cili është autorizuar që të nënshkruajë në emër të Kosovës.

‘’Western Balkans Fund po formohet sipas modelit të ‘Fondit të Vishegradit’, i cili i ka asistuar shtetet e Evropës Lindore – anëtare të Grupit të Vishegradit – në zhvillimin e tyre ekonomik. Kosova në këtë fond do të përfaqësohet në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera të rajonit, si bashkëthemeluese e Western Balkan Fund’’, ka thënë Arifaj.

Mësohet se ky takim është vazhdim i përgatitjeve për Samitin e Vjenës të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet më 27 gusht 2015, në kuadër të Procesit të Berlinit i nisur vitin e kaluar. /Telegrafi/