Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-ve mbështeti një projekt-ligj që do të mundësonte konfiskimin e një pjese të pasurive të ngrira ruse në mënyrë që paratë të transferoheshin më pas për rindërtimin e Ukrainës.
Këtë e ka bërë të ditur Bloomberg, duke iu referuar memorandumit të Këshillit të muajit nëntor, i cili i është dërguar Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit.
“Ligji do t’i jepte degës ekzekutive autoritetin e nevojshëm për të konfiskuar pronën sovrane ruse për të mirën e Ukrainës”, thuhej në shënimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane i tha agjencisë se ky është një nga mjetet që SHBA-ja po shqyrton si një mundësi për të detyruar Rusinë të paguajë për dëmin që Ukraina ka pësuar si rezultat i luftës. Banka Botërore vlerëson se të paktën 411 miliardë dollarë mund të nevojiten për të rindërtuar Ukrainën.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se së bashku me partnerët e G7, autoritetet amerikane po eksplorojnë “të gjitha opsionet në përputhje me sistemet ligjore dhe ligjin ndërkombëtar për të ndihmuar Ukrainën të marrë kompensim nga Rusia”.
Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, vendet perëndimore ngrinë afërsisht gjysmën e rezervave të arit dhe valutës së Bankës së Rusisë, rreth 300 miliardë dollarë.
Shumica e këtyre fondeve janë të vendosura në Evropë. Që nga vjeshta e vitit 2022, autoritetet e BE-së kanë diskutuar mundësinë e përdorimit të kësaj prone dhe në verën e vitit 2023, një grup pune i posaçëm i BE-së arriti në përfundimin se nuk ka bazë ligjore për konfiskimin e pronës ruse.
Shtëpia e Bardhë mbështeti një projekt-ligj për konfiskimin e aseteve ruse mes mosmarrëveshjeve midis republikanëve dhe demokratëve në Kongres, të cilët nuk mund të bien dakord për më shumë se 60 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën. /Telegrafi/