Gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje, për çfarë janë arrestuar 6 persona, ndërsa njëri është arratisur.
Në raportin 24 orësh të policisë bëhet e ditur se shumica e viktimave janë gratë dhe rastet e dhunës kanë ndodhur në komunat e Drenasit, Podujevës, Obiliqit, Klinës, Pejës, Malishevës dhe Vushtrrisë.
Sipas Policisë së Kosovës, në Drenas është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti kishte sulmuar fizikisht viktimën kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Podujevë të mërkurën rreth orës 14:00 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj viktimës femër kosovare.
“Viktima me vullnetin e saj ka shkuar tek familja e saj. Me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.
Edhe në Obiliq është arrestuar një person pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje në familje ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj viktimës femër kosovare.
“Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”. Thuhet në raport.
Ndërsa, në Klinë është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti kishte sulmuar fizikisht dy viktimat një mashkull dhe një femër kosovare, ku si pasojë e sulmit viktimat kanë pësuar lëndime të lehta trupore. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një tjetër rast i dhunës ka ndodhur të mërkurën rreth orës 10:20, në Pejë ku viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje në familje, është kanosur verbalisht nga i dyshuari mashkull kosovar i cili ndodhet në arrati. Rasti në procedurë hetimore.
Ndërkaq, edhe në Malishevë një grua ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rast tjetër në familje ka ndodhur në Vushtrri ku një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/