Telegrafi

Shtatë muaj pas, Ligji për Paga ende në shqyrtim nga Kushtetuesja

Janë bërë shtatë muaj që Ligji për Paga është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit, për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën, mirëpo deri më sot ende nuk ka ndonjë vendim.

Drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese, Veton Dula në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se kjo lëndë është ende duke u shqyrtuar.

“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar”, tha shkurt Dula.

Ndërkaq, Avokati i Popullit, që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat në Sektorin publik, kishte pranuar 104 ankesa që kontestojnë disa nene të këtij ligji.

Lexo po ashtu Ligji për Paga dërgohet në Kushtetuese

“Ankesat e pranuara kryesisht kanë të bëjnë me uljen e koeficienteve, rrjedhimisht me zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave apo trajtimin joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj. Ankesat e pranuara janë parashtruar nga subjekte të sektorit publik, si ankesa grupore, individualisht si dhe nëpërmjet sindikatave”, thuhej në njoftimin e zyrës së Avokatit të Popullit.

Lexo po ashtu Avokati i Popullit tregon nenet kontestuese, shkaku i të cilave e dërgoi Ligjin e Pagave në Kushtetuese

Ndryshe, më 1 shkurt, Qeveria e Kosovës ka miratuar koeficientin e Ligjit të Pagave në Sektorin Publik, në vlerë prej 105 eurosh.

Ligji i Pagave rregullon çështjen e pagave për mbi 82 mijë punëtorë të sektorit publik. Megjithatë, ka pasur pakënaqësi te disa sektorë.

Me Ligjin e ri, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18. /Telegrafi/