Telegrafi

Shqiptari që shënoi pesë gola e pranon: Vetëm kjo Kombëtare më ka kërkuar

Sulmuesi i talentuar 18-vjeçar i ekipit austriak Red Bull Salzburg, Mërgim Berisha, po tërheq rreth vetes qendrën e vëmendjes së shumë mediave sportive.

Sezoni fantastik që po zhvillon në kategorinë e dytë austriake me ekipin e dytë të Salzburgut, ku ka shënuar 9 gola në 15 ndeshje, apo dhe paraqitja e shkëlqyer me Salzburgun U-19 në Ligën e të Rinjve të UEFA-s, ku ka shënuar 7 gola në dy ndeshje. ka rënë në sy të medias prestigjoze gjermane “Bild”.

Në rubrikën javore të kësaj gazete ku promovohen talentet e rinj të futbollit nëpër Evropë, këtë radhë është përzgjedhur Berisha.

“Bild” përshkruan talentin e tij me topin, teksa gjithashtu zbulon situatën e ekipit përfaqësues me të cilin sulmuesi do të aktivizohet.

“Vetëm Shqipëria më ka kërkuar njëherë, por në atë kohë kam qenë i dëmtuar. Gjithashtu mund të luaj për Kosovën, Gjermaninë ose Austrinë. Nuk e kam vendosur ende”, është shprehur ai për mediat austriake.

Prindërit e Berishës janë nga Kosova, por futbollisti është lindur në Gjermani.

Hapat e para të karrierës ai i ka hedhur në Austri në akademinë e Salzburgut, klub nga i cili nuk ka lëvizur asnjëherë.

Megjithatë sulmuesi është i pajisur me pasaportë shqiptare, dhe shanset që të luajë për kombëtaren kuqezi janë shumë të mëdha duke parë që deri më tani vetëm FSHF është interesuar për të.