Site icon Telegrafi

“Shqiptari” do të luajë rolin e Milloshevicit? (Video)

Robert De Niro, aktori i cili me një rast ka deklaruar se ka gjak shqiptari, do të luajë rolin e diktatorit serb Sllobodan Milloshevic, në një projekt të ri filmik në Hollivud.

Filmi temë kryesore do të ketë kriminelin serb Zheljko Razhnjatovic- Arkan, i njohur për krimet në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, kanë shkruar mediumet serbe.

Sipas tyre, emri i filmit do të jetë “Kërcimi i Tigrit”, kurse rolin e Milloshevicit ka gjasa ta luajë Robert De Niro.

Ende nuk dihet kush do të luajë rolin e Arkanit, por thuhet se kanë qenë të interesuar disa aktorë serbë. Rolin e bashkëshortes së Arkanit, këngëtares serbe me emër Ceca, paralajmërohet se do ta luajë aktorja e njohur e Holivudit, Eva Mendez.

Ky film do të xhirohet sipas librit “Arkan” të autorit serb Vlladimir Gjorgjevic. Ai ka thënë se fokusi i filmit do të jetë i vendosur te jeta reale e mafisë dhe aktiviteteve të tyre kriminale.

“Në rrëfimin tonë do të fokusohemi te raporti i personazhit kryesor me presidentin e atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviç dhe me bashkëshorten e cila është këngëtare. De Niro është mjaft i interesuar për këtë projekt dhe dëshiron ta luajë rolin e Sllobodan Milloshevicit”, ka deklaruar Gjorgjevic.

Sipas tij, xhirimet do të fillojnë në vitin 2016 në Serbi, Suedi, SHBA dhe në Mal të Zi. Buxheti i filmit do të jetë 7.5 milionë dollarë, kurse producentët shpresojnë se do të arrijnë sukses të madh në tregun e Evropës Lindore dhe në Rusi.

Ne vazhdim ju sjellim edhe videon ku De Niro deklaroi se ka gjak shqiptari.

Exit mobile version