Partitë politike shqiptare në Mal të Zi, që njihen për divergjenca të shumta, këtë herë kanë rënë dakord që vota e tyre të shkojë për Milo Gjukanoviqin në zgjedhjet presidenciale të së dielës.
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin malazez, Genc Nimanbegu, që është dhe nënkryetar i Parlamentit, thotë se edhe orientimi i politikës shqiptare ka qenë që të votohet për Milo Gjukanoviqi.
“Mesazhi i tyre ishte i qartë që të përkrahej Gjukanoviqi, ky mesazh vinte pasi ne kemi marrë vendimin kë do të mbështesim”, shprehet Nimanbegu, nënkryetar i Parlamentit në Malin e Zi.
Në të njëjtën linjë është dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu që është dhe kryetari i Partisë Forca.
“Duke pasur parasysh hyrjen në NATO, pavarësinë e Kosovës, pavarësinë e Malit të Zi, ne duan që këto arritje të shkojnë edhe më tej, pasi ne si shqiptarë në Malin e Zi do të kemi një pozicion edhe më të mirë”, thotë Cungu, raporton tch.
Ndërsa kryetari i Partisë Unioni Demokratik Shqiptar, Mehmed Zenka, që mban dhe postin e Ministrit të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në qeverinë malazeze, shprehet se vota për Gjukanoviqin është jetësore për shqiptarët dhe gjithë rajonin pasi kandidati tjetër pro-serb ka thënë hapur se mund të rishikojë referendumin për Pavarësinë e Malit të Zi e kthim pas të shumë arritjeve që janë bërë deri tani.
“Shqiptarët në Malin e Zi kanë vetëm dy zgjedhje, nuk ka një zgjedhje të mesme. Ose krahu serb, ose krahu pro-evropian, të cilin e përfaqëson Gjukanoviqi”, thotë Zenka.
Edhe lideri i Partisë Demokratike Shqiptare në Mal të Zi, Fatmir Gjeka, shprehet se nuk ka asnjë dyshim që votat e shqiptarëve do shkojnë për Milo Gjukanoviqin.
“Kemi shumë arsye, duke përmendur luftën në Kosovë, pastaj njohja e Kosovës, marrëdhëniet e mira që ka me Shqipërinë”, thotë Gjeka.
Por dhe qytetarët duken të vendosur se vota e tyre duhet të shkojë për Gjukanoviqin.
“Do të votoj për Gjukanoviqin pasi ai është kryetari i Malit të Zi dhe asnjë tjetër”, thotë një qytetar.
“Me siguri ish-kryeministrin, i ka shanset më të mëdha”, thotë një tjetër qytetar.