Qytetarët shqiptarë i janë përgjigjur thirrjes për aplikim për ndërtimin e shtëpive të komunitetit jo shumicë në komunat veriore.
Punimet atje tashmë kanë filluar dhe banorët janë të gatshëm që të kthehen në pronat e tyre.
Një prej tyre është Ramadan Ademi, i cili kthehet në pronën e tij në lagjen Kroi i Vitakut pas plot 24 vitesh.
“Ne kemi jetu në një banesë në qytetin e Mitrovicës si refugjat dhe asnjë ndihmë nuk e kemi pasë nga institucionet, faktikisht kemi qenë pa status në qytetin tonë. Unë e them me plotë të drejtë se këta banorë të kësaj lagjeje, për shqiptarët e kam fjalën, i kanë qëndru besnik shqiptarisë, sepse asnjëri prej nesh nuk e ka shitur pronën”, tha mes tjerash Ademi.
Rindërtimi ka filluar edhe në pronën e Bashkim Rafunes, i cili për 24 vjet i rezistoi ofertave të ndryshme për shitjen e pronës, ndonëse jetonte me qira.
“Kemi jetu në shtëpi të huaja dhe na kanë ndihmu dhe organizata e huaja. Pastaj edhe me ndihmën e familjarëve e kemi bërë njëfarë zgjidhje, por kjo është shtëpia ime që ma ka lanë baba dhe kam dashtë këtu me u kthy. Normal edhe shteti duhet me na ofru siguri”, deklaroi Bashkim Rafuna.
Banorët e lagjes Kroi i Vitakut ishin aplikuesit e parë në thirrjen për ndërtimin e shtëpive në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq për komunitetin jo shumicë.
Imer Fejza, zyrtar komunal, tha se në të gjithë veriun e Kosovës po ndërtohen shtëpi, dhe se tashmë të gjithë qytetarët që e kishin të pamundur të kthehen në shtëpitë e tyre, tani mund të kthehen.
Ky projekt ishte nismë e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal e cila u miratua nga qeveria e Kosovës, me vlerë rreth një milion euro. Afati për aplikim mbetet i hapur./rtk/