Telegrafi

Shqipëria përgatitet për dy ndeshjet e radhës

(Foto: Screenshot/YouTube/Top Channel)

Kombëtarja shqiptare ndodhet në Frankfurt të Gjermanisë, ku do të vijojë përgatitjet për sfidat kualifikuese të ‘Euro 2020’ me Islandën dhe Moldavinë. Tashmë në drejtimin e trajnerit të ri Edy Reja, për futbollistët kuqezi ka rëndësi që të jenë sa më të përqendruar, për të qenë gati për këto dy ndeshje.

“Çdo gjë po shkon mirë, po përgatitemi seriozisht. Stërvitja ka qenë intensive. Përqendrimi ka qenë maksimal nga të gjithë, që të shkojmë në formën më të mirë të mundshme. Gjërat ndryshojnë. Është një trajner i ri me një metodë tjetër pune dhe në çdo ekip është më se e kuptueshme që të ndodhin. Por, ajo që ka më shumë rëndësi për ne është që për këto dy ndeshje të jemi gati”, ka thënë Bekim Balaj, citon Top Channel.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Përfaqësuesja e Shqipërisë

Futbollisti tjetër i Kombëtares, Frederik Veseli, deklaroi për ndryshimin në stolin e skuadrës se nuk i takon atij të gjykojë trajnerin e ri, pasi detyra e tij është të japë maksimumin në fushë.

“Është shumë herët për të gjykuar punën e trajnerit dhe nuk është dëshira apo qëllimi im të gjykoj. Unë jam futbollist dhe bëj punën time si çdo lojtar i Kombëtares. Jam i sigurt se me gjashtë pikë do të ishim të kënaqur”.

“Qëllimi ynë është që të përqendrohemi dhe të luajmë mirë në ndeshjen e parë, shpresojmë që të bëjmë një paraqitje shumë pozitive”, është shprehur Veseli.

Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë përgatitjet në Frankfurt deri në datën 7 qershor, kur do të niset drejt Reikjavikut për ndeshjen me Islandën, ndërkohë që atë me Moldavinë do ta luajë në “Elbasan Arena” më 11 qershor.