Site icon Telegrafi

Shqipëria nis përgatitjet për sfidën ndaj Polonisë, stërvitjet i zhvillon në ‘Shtëpinë e Futbollit’

(Foto: fshf.org)

Lojtarët e Shqipërisë e kanë zhvilluar sot (e hënë) seancën e parë stërvitore në fushën e Shtëpisë së Futbollit në kuadër të përgatitjeve për sfidën e parë të kualifikueseve të ‘Euro 2024’.

Nën urdhrat e trajnerit Sylvio Mendes Campos Junior kuqezinjtë kanë mbërritur në Shtëpinë e Futbollit, teksa fillimisht janë njohur me të gjitha facilitetet që ofron ky kompleks modern e më pas kanë nisur nga puna në fushën e lojës.

Që të gjithë lojtarët e ftuar janë paraqitur në këtë seancë të parë, ndërsa pjesa më e madhe kanë zhvilluar një seancë me ngarkesë të plotë stërvitore. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe të gjithë lojtarët janë shfaqur të motivuar maksimalisht në nisje të këtij edicioni të ri, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

(Foto: fshf.org)

Edhe lojtarët e rinj janë pritur shumë mirë në grup dhe po përshtaten shumë shpejt. Sakaq, disa prej futbollistëve kuqezi janë stërvitur veçmas nga grupi për shkak të impenjimeve me klubet respektive në fundjavë.

Më konkretisht, Elseid Hysaj, Talulant Seferi, Andi Hadroj, Jon Mersinaj, Enea Mihaj, Lindon Selahi e Ylber Ramadani kanë kryer stërvitje të lehtë mes palestrës dhe fushës.

(Foto: fshf.org)

Seanca ka zgjatur për më shumë se një orë, ndërsa kuqezinjtë do të rikthehen të martën në fushë me dy seanca stërvitore sipas programit të paracaktuar nga stafi teknik.

(Foto: fshf.org)

 

(Foto: fshf.org)
Exit mobile version