Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, pasi Shqipëria merr Presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Osmani ka shkruar në platformën X, se në këtë kohë vendimtare për paqen dhe sigurinë, është e rëndësishme që Kosova dhe Shqipëria të vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar në promovimin e vlerave tona të përbashkëta demokratike globalisht.
“Suksese Presidentit Bajram Begaj, Kryeministrit Edi Rama, Misionit të Shqipërisë në OKB me marrjen e Presidencës së KS të OKB-së nga Shqipëria. Në këtë kohë vendimtare për paqen dhe sigurinë, është e rëndësishme që ne të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar në promovimin e vlerave tona të përbashkëta demokratike globalisht”, ka shkruar Osmani, transmeton Telegrafi.
Best of luck to President @BajramBegajAL, PM @ediramaal & @AlMissionUN as Albania takes over the #UNSC presidency.
At this crucial time for peace & security, it is important that we continue to stand united in promoting our shared democratic values globally. 🇽🇰🇦🇱
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) September 1, 2023
Shqipëria merr për herë të dytë presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që kur ajo u bë pjesë e këtij forumi, në janar të vitit të shkuar, si anëtare jo e përhershme.
Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka tha të enjten se dy aktivitete madhore do të shënojnë presidencën shqiptare.
“Ne do të organizojmë një Debat të Hapur të nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit, i cili do të fokusohet në pasojat e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës për paqen dhe sigurinë në botë, si dhe në përpjekjet e përbashkëta për të forcuar e konsoliduar multilateralizmin dhe respektin për ligjin ndërkombëtar”, deklaroi zonja Xhaçka, në një mesazh të posaçëm.
Takimi i Këshillit për këtë temë, i cili parashikohet të zhvillohet më 20 shtator, do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama, ndërsa pritet që i pranishëm të jetë dhe presidenti ukrainas Volodimir Zelensky. Çështja e Ukrainës dhe agresionit rus ndaj saj, ka qenë në qendër të aktivitetit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, duke qenë dhe bashkëpenëmbajtëse me Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/