Shqipëria nuk ka arritur të nxjerrë rezultat pozitiv në debutimin e Edy Rejas në detyrën e përzgjedhësit, pasi ka pësuar humbje (1-0) si mysafir i Islandës në stadiumin Laugardalsvollur, në ndeshjen kualifikuese për ‘Euro 2020’.
Një rast të mirë në minutat e para e pati Elseid Hysaj, i cili goditi nga brenda zonës me kokë, mirëpo Hannes Halldorsson arriti ta bllokonte tentativën e tij.
Rezultati i u zhbllokua në minutën e 22-të, kur Johann Gudmundsson tregoi kontroll, shkoi drejt portës dhe goditja e tij u ndal në rrjetë.
Islandezët rrezikuan sërish me anë të Kari Arnason, ndërsa në minutat shtesë të pjesë së parë u duk se Aron Gunnarsson e preku topin brenda zonës, sidoqoftë gjyqtari vendosi se ishte jashtë.
Birkir Bjarnason ishte ndër ata që rrezikuan në gjysmën e dytë, derisa kuqezinjtë nuk arrinin të ndërtonin aksione për të rrezikuar seriozisht portën kundërshtare, edhe pse përpjekjet nuk munguan.
Nga tri ndeshje të zhvilluara, Shqipëria numëron një fitore dhe dy humbje, dhe mban vendin e katërt në Grupin H.
Islanda, me dy fitore dhe një humbje, është në vend të tretë, por me pikë të barabarta me dy skuadrat lidere, Franca dhe Turqia, që i kanë zhvilluar vetëm nga dy ndeshje. /Telegrafi/