Shqipëria synon të dhurojë 1 milion euro ndihmë për Ukrainën, tha Kryeministri Edi Rama në Konferencën e Donatorëve që po mbahet në Varshavë të Polonisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh i nderuar për praninë e Shqipërisë në këtë event, edhe pse siç tha, është i vetëdijshëm për kontributin modest të saj.
“Në këtë konferencë donatorësh, Shqipëria synon të kontribuoj me 1 milion euro. E di që kjo nuk do të ndryshojë fatin e luftës dhe të rindërtimit por ne jemi shumë të nderuar që jemi këtu dhe jam shumë mirënjohës kryeministrave të Polonisë dhe Suedisë që na bënë pjesë të këtij eventi”, ka thënë Rama.
“Deri në fund ne do të bëjmë më të mirën për të nderuar detyrimin tonë ndaj miqve tanë dhe popullit ukrainas duke synuar atë çka të gjithë këtu synojnë. Që të kemi një fund të kësaj lufte dhe të shohim paqen të vijë sa më shpejtë”, ka shtuar Rama.
Rama ka shtuar se Shqipëria është nga vendet e para që ka dhënë kontributin me armë për forcat e armatosura të Ukrainës.
Kryeministri tha gjithashtu se Shqipëria ka ngritur kuadrin e nevojshëm ligjorë për të lejuar qytetarët ukrainas që të vijnë në Shqipëri.
Konferenca, me pjesëmarrje të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe qeverive, i dedikohet qëllimit të përbashkët për të mbështetur reagimin humanitar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Ukrainë dhe për të diskutuar hapat e mëtejshëm drejt mbështetjes së përpjekjeve të Ukrainës për të trajtuar sfidat ekonomike të krijuara nga lufta.
Konferenca u fokusua në masat konkrete për t’ju përgjigjur fatkeqësisë humanitare të shkaktuar nga lufta, ku sipas vlerësimit të OKB-së, miliona njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare, duke përfshirë ushqim, furnizime mjekësore dhe strehim. /Telegrafi/