Site icon Telegrafi

Shqipëri-Izrael zhvillohet në Elbasan, ka nisur konvertimi i biletave (Video)

Një ditë pas vendimit për spostimin e ndeshjes nga “Loro Boriçi” i qytetit të Shkodrës, për në “Elbasan Arena” të qytetit të Elbasanit, ka filluar edhe procesi i konvertimit ose i kthimit të biletave të shitura deri ditën e martë.

Spostimi i vendit të ndeshjes detyroi Federatën Shqiptare të Futbollit të marrë masat urgjente për ndryshimin e biletave, të cilat sipas tyre konvertohen me një biletë të stadiumit të Elbasanit për të njëjtën vlerë monetare, rrjedhimisht edhe në tribunë.

Megjithatë, në qytetin e Shkodrës, në biletarinë pranë stadiumit “Loro Boriçi” ka pasur edhe nga ata, të cilët kanë preferuar të marrin paratë dhe jo ta konvertojnë atë me një biletë për në “Elbasan Arena”.

Lexo po ashtu FSHF konfirmon: Ndeshja do të zhvillohet

Sipas burimeve pranë biletarisë, thuhet se kanë qenë mbi 1.000 sportdashës që kanë kthyer e konvertuar biletat që kishin prerë më parë.

Ndërkohë, është pezulluar për momentin edhe shitja e biletave në masë. Të vetmet që ofrohen për shitje në dyqanin zyrtar të FSHF-së, në kryeqytet, janë biletat më të shtrenjta në çmim, ato të tribunës qendrore. Sa u përket të tjerave, mesa duket pritet konvertimi për të parë se në çfarë kuote janë.

Diferenca e kapacitetit të stadiumit të Shkodrës me atë të Elbasanit është rreth 4.000 vende, megjithatë deri në momentin e marrjes së vendimit për spostimin e ndeshjes ishin shitur përafërsisht 8.000 bileta, për të cilat ka filluar procesi i konvertimit. E njëjta gjë po ndodh edhe në biletarinë e Elbasanit, e cila është aktivizuar menjëherë pas ndryshimit të këtij programi. /TCH/

Exit mobile version