Nga sot, Shqip.ai bëhet pjesë e punës edhe për Telegrafi.com
Kompani mediale Telegrafi dhe platforma Shqip.ai, kanë lidhur marrëveshje bashkëpunimi për të zhvilluar sa më shumë inovacionin në Kosovë.
E nga e gjithë kjo garantohet se risitë dhe përparimet në fushën e teknologjisë dhe fushën mediatike do të jenë synimi kryesor për të përmirësuar përvojën e të gjithë përdoruesve.
Kompania Quantix kishte lansuar më 28 prill softuerin që bazohet në Inteligjencë Artificiale, përmes së cilit gjuha shqipe do të transkriptohet në mënyrë automatike nga përmbajtjet audio-vizuale në forma të tekstit të shkruar.
Shqip.ai është i pajisur me të dhëna të avancuara të inteligjencës artificiale, të cilat e bëjnë atë një mjet të besueshëm dhe efikas për transkriptimin e materialeve audio-vizuale në tekst shqip.
Platforma është zhvilluar duke i kushtuar vëmendje nevojave të gazetarëve dhe industrisë së mediave gjithashtu, duke e bërë këtë mjet të përshtatshëm dhe të nevojshëm për të gjithë ata që punojnë në fushën e gazetarisë dhe komunikimit.
Muaj më parë, Betim Drenica CEO i kompanisë Quantix, në një intervistë për Telegrafin ka treguar se projektit “Albanian Speech to Text” mund t’i qasemi përmes platformës Shqip.ai.
Drenica tregoi se deri te lansimi i këtij projekti ka pasur sfida të shumta dhe se tani kanë arritur deri të një rezultat shumë i mirë, një njohje e përgjithshme mbi 90% e gjuhës së folur standarde dhe disa elemente të dialektit gegë sidomos e folura në Kosovë.
Po ashtu theksoi se Shqip.ai është një produkt që e ekspozon krejt këtë teknologji duke iu mundësuar përdoruesve që një përmbajtje audio që ngarkohet aty të kthehet brenda pak kohe në tekst të strukturuar.