Telegrafi

“Shpresa ime e fundit ishte te derri”, pacientit amerikan i transplantohet zemra e derrit, hera e dytë në histori të njerëzimit

Për herë të dytë në histori, një zemër derri është transplantuar tek një njeri, njoftoi Qendra Mjekësore e Universitetit të Maryland.

Kirurgjia novatore u krye më 20 shtator në UMMC nga i njëjti ekip që kreu operacionin e parë të tillë eksperimental në vitin 2022.

Lexo po ashtu Kirurgët amerikanë transplantojnë një zemër derri në një njeri - në operacionin e parë të këtij lloji

Në një njoftim për shtyp, spitali tha se pacienti, 58-vjeçari Lawrence Faucette, “aktualisht po merr frymë vetë dhe zemra po i funksionon mirë pa pasur nevojë të ndihmohet nga ndonjë pajisje shëndetësore”.

Faucette kishte problem të mëdha me zemër. Ai kishte sëmundje vaskulare periferike dhe komplikime me gjakderdhje të brendshme, duke e bërë atë të papërshtatshëm për një transplant tradicional të zemrës, njoftoi spitali. Ai u pranua në UMMC më 14 shtator pasi përjetoi simptoma të dështimit të zemrës.

“Shpresa ime e vetme ishte zemra e derrit, ksenotransplantin”, tha Faucette disa ditë para operacionit, raporton cnn.

Kirurgjia eksperimentale e ksenotransplantit u krye nën programin e quajtur “Dhembshuria” të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave. Sipas FDA, programi është “një rrugë e mundshme për një pacient me një sëmundje ose gjendje serioze ose menjëherë kërcënuese për jetën, për të fituar qasje në një produkt mjekësor kërkues (ilaç ose pajisje mjekësore) për trajtime jashtë provave klinike kur nuk ka mundësi të krahasueshme ose të kënaqshme të terapisë alternative”.

Zemra e derrit të përdorur erdhi nga një kafshë e modifikuar gjenetikisht nga Revivcor, filial i United Therapeutics Corporation. Derri kishte dhjetë gjene të modifikuara, duke përfshirë tre gjene “të zhdukura” ose të çaktivizuara për të eliminuar sheqerin alfa gal në qelizat e gjakut të derrit, gjë që mund të shkaktojë një reagim të rëndë në sistemin imunitar të njeriut, duke shkaktuar refuzim të organeve.

Një gjen shtesë i derrit u modifikua për të kontrolluar rritjen e zemrës së derrit, ndërsa 6 gjene njerëzore u shtuan në gjenomin e derrit për të rritur pranimin nga sistemi imunitar.

Ndryshe, FDA së pari miratoi derrat e modifikuar me gjen në vitin 2020 për përdorim dhe konsum terapeutik të mundshëm. /Telegrafi/