Mbrëmja e së martës, ishte fatale për pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Sami Thaqi, nga Shkarashniku i Malishevës, i cili humbi jetën gjatë operacionit të policisë në Zhur të Prizrenit, për një rast të dhunës në familje, e pastaj edhe për posedim të narkotikëve.
Gjatë këtij operacioni, zyrtarët e policisë hasën në një mjet i cili shpërtheu dhe mori jetën e Sami Thaçit, ndërsa la me pasoja të rënda kolegun e tij, Artur Mrasori, i cili po trajtohet në Repartin e Kujdesit Intenziv të QKUK-së, nën rrezikun se mund të verbohet tërësisht, pasi njërin sy tashmë e ka humbur, e tjetrin e ka në gjendje jo të mirë.
Përveç tyre, edhe tre zyrtarë të tjerë policor dhe një i mitur kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Prizrenit, të cilët janë jashtë rrezikut për jetë.
Por, si ndodhi e gjithë ngjarja në Zhur e cila përfundoi tragjikisht?
Fillimisht, rasti është raportuar si dhunë në familje, por pastaj sipas Drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj, familjarët kanë treguar se kryefamiljari, i cili në ato momente nuk ndodhej në shtëpi, posedonte edhe lëndë narkotike.
Qalaj tha se mjeti shpërthyes është hasur nga policët në një hapësirë të pabanuar të shtëpisë, ku fatkeqësisht mori jetën e një polici, dhe lëndoi disa të tjerë.
Në mesin e të lënduarve ishte edhe një i mitur, pjesëtarë i familjes ku po kryhej bastisja, i cili është jashtë rrezikut për jetë.
Togeri Shaban Osmanollaj, zyrtar për informim në Drejtorinë Rajonale në Prizren, ka theksuar se Njësia e Specializuar e Antidrogës, bashkë me Njësinë Speciale, po kryenin një urdhër kontrolli në një shtëpi në fshatin Zhur, kur ndodhi ngjarja tragjike.
“Njësia e Specializuar e Antidrogës bashkë me Njësinë Speciale, të cilët po kryenin një urdhër kontrolli, bastisje, në një shtëpi në fshatin Zhur, në atë moment ka shpërthyer një mjet eksplodues i paidentifikuar. Një fëmijë i familjes ku është kryer bastisja ka pësuar lëndime të lehta. Fatkeqësisht një koleg i yni polic ka ndërruar jetë ndërsa dy të tjerë janë lënduar. Të lënduarit janë dërguar në Spital të Prizrenit ku po trajtohen nga qendra Emergjente”, tha Osmanollaj.
Kurse, në Spitalin e Prizrenit katër persona janë pranuar me lëndime si pasojë e shpërthimit.
Drejtori i Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj ka thënë për Telegrafin se një zyrtar policor është transferuar për në Qendrën Klinike universitare të Kosovës me shenja vitale, por në gjendje të rënduar.
“Polici i parë i pranuar me lëndime të kokës të fytyrës dhe qafës, të krahut dhe para-krahut është dërguar në QKUK me gjendje të rënduar, me shenja vitale, por në gjendje të rënduar”, tha Avdaj.
Drejtori i Klinikës së Oftalmologjisë, Adem Miftari i cili e ka trajtuar policin e lënduar në QKUK, ka thënë për Telegrafin se fatkeqësisht polici në njërin sy e ka humbur shikimin, ndërsa edhe tjetrin e ka në rrezik.
Miftari tha se kanë intervenuar dhe e kanë shëruar plagën, por përveç në sy, i lënduari ka edhe shumë probleme tjera, për çka edhe po trajtohet në Shërbimin Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Është referu ai rast në Klinikën e Oftalmologjisë, këtu nuk është i shtruar por kemi intervenuar. Pacienti dy sytë i ka të lënduar, njërin sy e ka të humbur, kemi intervenuar, e kemi shëruar plagën edhe tjetrin sy e ka rëndë, por ai përveç në sy ka edhe probleme tjera shëndetësore. Unë nuk mund të them se ka rrezik për jetën, por rasti është duke u trajtuar në Shërbimin Qendror Intensiv”, ka thënë Miftari.
Polici, Sami Thaqi i cili u vra mbrëmë gjatë një aksioni antidrogë në Zhur të Prizrenit, u varros sot me nderime të larta shtetërore.
Në ceremoninë e varrimit në varrezat e fshatit Shkarashnik të Malishevës, përveç qytetarëve morën pjesë edhe një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, dhe figura nga skena politike në vend.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani tregoi se i ndjeri Sami Thaqi kishte shërbyer fillimisht si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e më pas në vitin 2005 iu bashkua Policisë së Kosovës si kadet i gjeneratës së 30-të.
Në të njëjtën kohë kur po mbahej ceremonia e varrimit, Qeveria në detyrë e Kosovës, mori vendim që familjes së Sami Thaqit t’i ndahej një shumë prej 15 mijë eurosh, ndërsa dy të lënduarve u ndau nga 10 mijë euro.
Qeverisa në detyrë, mori vendim që të gjithë policëve të rënë në krye të detyrës, tu ndaj për çdo muaj nga 300 euro shtesë, krahas 70 për qind të pagës që i marrin.
Prokuroria kërkon paraburgim për personin në shtëpinë e të cilit ndodhi shpërthimi ku u vra polici Sami Thaqi
Prokuroria Themelore në Prizren, ka thënë se gjatë veprimeve të ndërmarra, është arrestuar i dyshuari me inicialet I.B, për shkak të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërsa, me urdhër të prokurorit, i dyshuari I.B., është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, kurse gjatë ditës pritet që në Gjykatën Themelore në Prizren për të njëjtin të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.
Prokuroria Themelore në Prizren, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit. /Telegrafi/