Telegrafi

Shpërthimi në veri, pak ditë pas paralajmërimit të Vuçiqit për tensione

Veriu i Kosovës është zgjuar të shtunën nga një shpërthim, i cili dëmtoi një veturë dhe një shtyllë elektrike. Cak i sulmit besohet të jenë disa kamera të sigurisë të vendosura nga institucionet e Kosovës. E gjithë kjo, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, po ndodhë pas paralajmërimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Listës Serbe, për tensione në veri.

Veriut, në orët e para të shtunës, iu rikthyen incidentet.

Lexo po ashtu Shpërthim afër stacionit të policisë në veri, nuk ka të lënduar

Stacioni i Policisë së Kosovës ndodhet vetëm pak metra larg vendit të shpërthimit.

Në këtë shtyllë, e cila duket se ishte cak i këtij sulmi, ndodhen disa kamera të sigurisë të vendosura nga institucionet e Kosovës.

Gjurmët e shpërthimit janë ende prezente.

Prapa kamerës së televizionit Dukagjini, disa banorë të kësaj lagjeje kanë treguar se e dëgjuan krismën.

E gjithë kjo po ndodhë pas disa paralajmërimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq, për tensione në veri, pas zgjedhjeve lokale, të cilat i bënë katër komunat veriore me kryetarë shqiptarë.

Paralajmërime të njëjta lëshoi edhe Lista Serbe.

Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, mendon se ky shpërthim lidhet me paralajmërimet e Vuçiqit.

“Nga takimi i Brukselit ata nuk kanë marrë atë që kanë dashtë ta marrin dhe presioni edhe ndaj popullatës edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare është që popullata të mos i nënshtrohet ligjeve dhe të mos i nënshtrohet politikës zyrtare të Prishtinës”, ka thënë Kajtazi.

E shefi i kabinetit të Presidentes, Blerim Vela, sulmin e konsideron si tentativë për të penguar sundimin e ligjit në veri.

“Kjo duket të jetë një reagim ndaj aksionit të institucioneve të Kosovës për të heqjen e kamerave të paligjshme të vëzhgimit të vendosura nga Serbia, e cila do të vazhdojë”, ka shkruar Vela.

Shpërthimi është duke u trajtuar nga organet e rendit si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, përderisa rasti është akoma nën hetime dhe nuk ka ndonjë person të dyshuar./Dukagjini/