Telegrafi

Shpërthimi në veri, identifikohen dy persona që mund të jenë të përfshirë në rast

Identifikohen dy persona në lidhje me shpërthimin e granatës në Mitrovicën e Veriut.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka identifikuar dy persona që janë me interes për intervistim në lidhje me sulmin me granatë dore në Mitrovicë të Veriut.

Zëvendësdrejtori i Policisë për Veriun, Veton Elshani, ka thënë se personat në fjalë nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre pas kontrolleve që kanë bërë organet e sigurisë.

Lexo po ashtu Dy të lënduar nga shpërthimi i granatës së dorës në Mitrovicë të Veriut

“Njësitet policore relevante si dhe prokurori i rastit ishin në vendin e ngjarjes dhe janë marrë me rastin. Njësiti i hetimeve rajonale i Mitrovicës së Veriut ka vazhduar punën sot me intensitet të shtuar dhe tashmë ka identifikuar dy persona të cilët janë persona me interes për intervistim. Të njëjtët janë kërkuar edhe në shtëpitë e tyre, por nuk janë gjetur”.

Elshani tha se dyshimet e para nuk flasin për ndonjë konflikt që lidhet me motive etnike.

“Besohet se ky konflikt ishte pasojë e problemeve të mëhershme mes këtyre personave. Jemi duke hetuar tashmë disa pista”, ka thënë Elshani./Telegrafi/