Gjashtë ndeshje, katër gola e dy asistime. Ku ka start më të mirë në sezonin e ri se të kesh këto numra.
Astrit Selmani është rilindur në Rumani, saktësisht te skuadra e madhe rumune Dinamo Bukuresht.
Sulmuesi kosovar ka shkëlqyer në fillim sezoni duke shënuar e asistuar dhe duke mbajtur në pjesën e epërme të tabelës skuadrën e tij.
27-vjeçari është pjesë e Dinamos që nga janari, megjithatë tani po tregon se sa vlen duke kapur për dore skuadrën e tij.
Në një intervistë për Telegrafin, Selmani ka folur për formën e shkëlqyer, objektivat që ka me klubin dhe personale si dhe Kombëtaren e Kosovës.
Ai thotë se ka stërvitur fort gjatë fazës përgatitore dhe e ka pritur të ketë këtë formë të shkëlqyer.
“Kam stërvitu shumë fortë këtë verë dhe kam qenë i vetëdijshëm për atë që mund të bëjë kur jam në formën më të mirë. Jam shumë i lumtur me këtë start në xhirot e para”, thotë Selmani për Telegrafin.
Selmani thotë se objektivat e klubit janë të futen në mesin e gjashtë skuadrave më të mira në kampionat për të arritur ‘Play-Off’-in.
Ai ka folur edhe për objektivin personal me gola e asistime, por thotë se nuk do ta bëjë publike.
“Qëllimi me skuadrën është që të jemi në top gjashtë në kampionat dhe të luajmë në Play-Off”.
“Sa i përket numrave personal kam një objektiv në mendjen time, por nuk dua ta bëjë publik. Jam në rrugën e duhur dhe shpresoj të vazhdoj kështu”, vazhdon tutje Selmani.
Pas dy viteve të vështira te skuadrat si Hapoel Beer Sheva, Midtjylland e Goteborg, Selmani thotë se po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje me fanellën e Dinamos.
“Kam filluar të rikthehem në formën time më të mirë dhe po përmirësohem nga ndeshja në ndeshje. E rëndësishme është të kem shëndet dhe të vazhdoj me këtë formë dhe nuk kam dyshim se gjërat e mira vijnë”, tha Selmani.
Selmani ka dy vite që nuk është grumbulluar nga Përfaqësuesja e Kosovës, derisa ai thotë se rëndësi ka që të fokusohet te skuadra e tij Dinamo për momentin.
Ai ia lë kohës të shoh nëse do të ftohet, por thotë se gjithmonë do të jetë i gatshëm.
“Unë përpiqem të përformojë mirë këtu dhe të fokusohem te Dinamo, pa menduar më larg se kaq. Të shohim se çfarë do të ndodhë, e rëndësishme është që të jem në formë dhe unë gjithmonë jam gati”, përfundoi Selmani. /Telegrafi/