Tubimet antiqeveritare kanë shpërthyer në disa qytete anembanë Izraelit këtë fundjavë, pasi dhjetëra mijëra izraelitë kërkuan që kryeministri Benjamin Netanyahu të arrinte një marrëveshje me grupin terrorist Hamas për të liruar më shumë se 100 pengje ende të mbajtura në Gazë.
Demonstratat – një dukuri e rregullt – u zhvilluan pavarësisht paralajmërimeve urgjente të sigurisë ndërsa Izraeli përgatitet për një sulm të mundshëm nga Irani.
Një formë e hakmarrjes ushtarake është pritur gjerësisht në rajon pas vrasjes së padeklaruar të liderit politik të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran.
Bëhet e ditur se pavarësisht situatës së tensionuar të sigurisë, turma të mëdha u mblodhën në Begin Gate në Tel Aviv për të mbështetur familjet e pengjeve dhe për të bërë thirrje për lirimin e tyre nga robëria, sipas organizatorëve të protestës.
Pamjet treguan protestuesit duke valëvitur flamujt izraelitë dhe duke mbajtur lart pankarta me imazhet e pengjeve izraelite, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Në portën Begin të selisë së IDF-së Kirya në Tel Aviv, njerëzit u dëgjuan duke brohoritur, “Ne nuk do të heqim dorë, lironi pengjet.”
Të tjerë thërrisnin: “Ndale vdekjen, ndale zinë, jetë njerëzore mbi të gjitha”.
Disa protestues qëndruan të rrethuar nga barrikadat, duke simbolizuar pengjet që raportohet se janë mbajtur në kafaze.
Bëhet e ditur se aktualisht janë gjithsej 115 pengje, të gjallë dhe të vdekur, që mbahen në Gazë.
Nga ky numër, 111 pengje u morën gjatë sulmit të udhëhequr nga Hamasi në Izrael më 7 tetor, i cili vrau mbi 1,200 njerëz.
Ndryshe, ofensiva ushtarake pasuese e Izraelit në enklavën e izoluar palestineze ka vrarë afro 40,000 palestinezë dhe ka zhvendosur afro 2 milionë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës dhe Kombeve të Bashkuara.
Familjarët e robërve të mbajtur në Gazë kanë kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit të vendit Benjamin Netanyahu ndaj konfliktit.
Në një deklaratë një shoqatë që përfaqëson familjet akuzoi liderin izraelit se ka zgjedhur “të përshkallëzojë situatën në vend që të sigurojë një marrëveshje që do të shpëtonte jetë”. /Telegrafi/