Shpërndarja pirate e filmit “Shok” po e rrezikon fitoren eventuale të tij në “Oscar”.
Kjo pasi që, rregullat e lojës së Akademisë Amerikane e thonë se filmi nuk duhet të shfaqet online apo në ndonjë vend tjetër deri sa të mbahet gala mbrëmja “Oscar”.
Njëri nga aktorët e këtij filmi, Kushtrim Shermeti, ka thënë për Kolona.al se kjo gjë e rrezikon seriozisht fitoren e “Shok” në Oscar. Sipas tij, ka ndodhur edhe më parë kur ndonjë filmit i është marrë çmimi për shkak nuk janë respektuar rregullat e lojës.
“Me këtë rrezikohet seriozisht sepse ka ndodhur edhe më parë që janë privuar nga ky çmim shumë producent për shkak se nuk kanë pasur kontrollim të duhur. Problemi është që këtë e bëjnë vetë njerëzit e zanatit, prandaj është e vështirë ta kontrollosh. Por, jemi duke bërë një luftë të madhe dhe besoj që do ta tejkalojmë këtë gjë. Besoj që do ta kemi përkrahjen e qytetarëve tanë, pasi që ata i janë gëzuar shumë nominimit të tij”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ai shtoi se një gjë e tillë duhet të bëhet edhe për përfitimin e vetë producentëve të cilët, sipas tij, kanë bërë një film të mrekullueshëm.
Por, drejtori i Qendrës kinematografike të Kosovës Arben Zharku, nuk mendon se plasimi i këtij filmi në internet në mënyrë ilegale rrezikon çmimin “Oscar. Ai ka thënë se përderisa hedhja e tij në internet nuk po bëhet nga producentët, nuk mund ta rrezikoj fitoren eventuale në “Oscar”. Sipas tij, piratët është vështirë t’i ndalësh prandaj ky nuk paraqet rrezik.
Sipas tij, kjo dëmton shumë vet producentët të cilët planifikojnë ta shesin filmin.
“Nuk e rrezikon fitoren ne Oscar sepse nuk është bërë nga vet producentët por dihet se është bërë nga piratët. kjo dëmton shumë vet producentët sepse filmi duhet të shfaqet në Kinema ose në televizione me kualitete më të larta. Gjithashtu ata planifikojnë ta shesin këtë film”, ka thënë Zharku.
Se a do të ndjekin proceduara ligjore apo jo për këtë çështje mbetet në dorë të producentëve të cilët ende nuk kanë deklaruar se do të bëjnë një gjë të tillë.