Policia e Kosovës ka dërguar informata shtesë në lidhje me aksidentin e autobusit sot në Pejë, ku u lënduar 31 persona.
Aksidenti, sipas Policisë, ka ndodhur në orës 13:40 në rrugën Istog -Pejë, gjegjësisht në fshatin Jabllanicë e vogël në vendin e quajtur ”Dydesh”.
Në këtë aksident ishte i përfshirë një minibus i tipit Iveco me targa të regjistrimit vendor.
Policia njofton se të lënduarit janë të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë janë duke u trajtuar në spitalin rajonal në Pejë, ku sipas ekipit mjekësor të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.
“Sipas të dhënave preliminare dyshohet se aksidenti ka ndodhur derisa ngasësi i minibusit i cili ishte duke qarkulluar nga Istogu në drejtim të Pejës, me të arritur në fshatin Jabllanicë e vogël ne vendin e quajtur ”Dydesh”, duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës si dhe shpejtësisë për një moment humb kontrollin mbi automjet dhe godet një pemë në anën e kundërt të rrugës”, ka treguar Policia.
Prokurori tashmë po merret me hetimet si dhe ka vizituar të gjithë të lënduarit.