Ukraina nuk përbën kërcënim për sigurinë Rusisë dhe se duhet të respektohet integriteti territorial i shtetit ukrainas, thuhet në letrën e më shumë se 370 akademikëve dhe shkencëtarëve dërguar presidentit Vladimir Putin.
Në këtë letër publike, aty thuhet se veprimet ushtarake të ndërmarra nga presidenti rus ndaj Ukrainës janë fatale dhe minojnë sigurinë ndërkombëtare.
Ata tërheqin vërejtjen se përgjegjësia për nisjen e një lufte të re në kontinentin evropian i takon vetëm Rusisë.
“Përgjegjësia për nisjen e një lufte të re në Evropë i takon tërësisht Rusisë. Nuk ka asnjë justifikim racional për këtë luftë. Përpjekjet për të përdorur situatën në Donbas si pretekst për nisjen e një operacioni ushtarak nuk ngjallin asnjë besim. Është e qartë se Ukraina nuk përbën kërcënim për sigurinë e vendit tonë. Lufta kundër saj është e padrejtë dhe sinqerisht e pakuptimtë”, thuhet në letër.
Sipas tyre, shpallja e një lufte për hir të ambicieve gjeopolitike të udhëheqjes është një tradhti.
“Shpallja e një lufte për hir të ambicieve gjeopolitike të udhëheqjes së Federatës së Rusisë, e nxitur nga fantazitë e dyshimta historiozofike, është një tradhti cinike e kujtesës së tyre. Ne e respektojmë shtetësinë ukrainase, e cila mbështetet në institucione të vërteta demokratike”, theksohet në reagim.
Po ashtu, aty thuhet se izolimi i Rusisë nga bota do të nënkuptonte degradim teknologjik dhe kulturor.
“Izolimi i Rusisë nga bota nënkupton degradim të mëtejshëm kulturor dhe teknologjik të vendit tonë, në mungesë të plotë të perspektivave pozitive”, vijon letra.
Në fund, shkencëtarët kërkojnë që të ndalet operacioni ushtarak rus ndaj Ukrainës.
“Ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të të gjitha operacioneve ushtarake të drejtuara kundër Ukrainës. Ne kërkojmë respektimin e sovranitetit dhe integritetin territorial të shtetit ukrainas. Ne kërkojmë paqe për vendet tona. Le të bëjmë shkencë, jo luftë”, përfundon reagimi i shkencëtarëve. /Telegrafi/