Telegrafi

Shkëmbimi i të burgosurve me Rusinë, mbi 200 ukrainas kthehen në shtëpi – pamjet tregojnë emocionet që përjetuan ata

Një shkëmbim i të burgosurve midis Kievit dhe Moskës të mërkurën pasdite bëri që 207 robër ukrainas të kthehen në shtëpi.

Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shkëmbimi i sotëm është i 50-ti që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Këtë herë, ushtarakët e kthyer përfshijnë 95 përfaqësues të Forcave të Armatosura të Ukrainës, 56 Gardiste Kombëtare, 26 roje kufitare, 29 ushtarë të Mbrojtjes Territoriale dhe një përfaqësues të Policisë Kombëtare të Ukrainës.

Midis ushtarakëve të liruar janë mbrojtës të Mariupol, Kherson, luftëtarë nga ishulli Zmeinyi, marina dhe mjekë luftarakë.

Ndërkohë janë publikuar disa pamje që tregojnë emocionet që përjetuan ata dhe të afërmit e tyre.

Siç theksohet më tej, një nga ata që kthehet sot është rreshteri Zakhar.

Ai u kap nga Rusia së bashku me gruan e tij Tetiana pasi u evakuuan nga Azovstal në maj 2022.

Në më pak se gjashtë muaj, Tetiana u shkëmbye dhe u kthye në Ukrainë. Tatiana u vendos me dy vajzat e saj në Dnipro.

Megjithatë, më 14 janar, rusët hodhën një raketë në ndërtesën e lartë ku banonte familja. Tetiana vdiq nën rrënoja së bashku me vajzën e saj të vogël dhe nënën e burrit të saj.

Vajza e madhe e Zakhar dhe Tetianës, Ruslana, 19 vjeçe, po priste kthimin e babait të saj. /Telegrafi/