Telegrafi

Shkëmbimi më i madh të të burgosurve të luftës – lirohen 144 ukrainas, 99 prej tyre ishin mbrojtës së Azovstalit

Ukraina ka kryer shkëmbimin e saj më të madh të robërve të luftës që nga pushtimi i Rusisë, duke siguruar lirimin e 144 ushtarëve të saj, përfshirë 95 që kishin marrë pjesë në mbrojtjen e fabrikës së çelikut të Mariupolit, tha agjencia e inteligjencës ushtarake ukrainase.

Shumica e të burgosurve ukrainas u plagosën rëndë, duke vuajtur nga plagë me armë zjarri dhe prerje, trauma nga shpërthimi, djegie, kocka të thyera dhe gjymtyrë të amputuara, tha agjencia e njohur me shkurtesën GUR në një deklaratë në Telegram të mërkurën.

“Ky është shkëmbimi më i madh që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë”, njoftoi agjencia e inteligjencës. Nuk kishte asnjë koment nga Rusia për një shkëmbim të të burgosurve.

Megjithatë, kreu i Republikës Popullore të vetëshpallur pro-ruse të Donetskut në Ukrainën lindore Denis Pushilin tha se kishte siguruar gjithashtu lirimin e 144 ushtarëve, përfshirë luftëtarët e saj dhe ata të ushtrisë ruse, raporton aljazeera.

“Ne i dorëzuam Kievit të njëjtin numër të burgosurish nga njësitë e armatosura ukrainase, shumica e të cilëve u plagosën”, tha ai.

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal konfirmoi shkëmbimin në Telegram, duke thënë vetëm se puna për lirimin e të burgosurve ishte “e ndërlikuar”.

Qindra ukrainas të tjerë mendohet se ende mbahen nga Rusia dhe përfaqësuesit e saj separatist pro-Moskë në Ukrainën lindore, por vendndodhja e tyre e saktë nuk dihet.

Në veçanti, Kievi është shqetësuar për fatin e qindra luftëtarëve të regjimentit Azov që luajtën një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e Mariupolit dhe fabrikës së tij të çelikut Azovstal përpara se të rrethoheshin dhe përfundimisht t’i dorëzonin armët forcave ruse.

Shkëmbimi i të burgosurve përfshinte dorëzimin e 43 anëtarëve të regjimentit Azov, një njësi e Gardës Kombëtare që Rusia thotë se është një batalion i rrezikshëm i ekstremit të djathtë. Lirimi i tyre është një shenjë premtuese për ukrainasit që shpresojnë për lirimin e luftëtarëve të tjerë nga njësia. /Telegrafi/