Telegrafi

Shkarkohet bordi i drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Mitrovica’

Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e fundit të saj ka marr vendim që të shkarkoj bordin aktual të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.

Me propozimin e ministres në detyrë të Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (NEPTINIS), Rozeta Hadari bordi duhet të zëvendësohet me një të ri në një periudhë 6 mujore.

Sipas saj, bordi aktual nuk i ka kryer detyrat e parapara sipas Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

“Sot i propozoj qeverisë që të shkarkoj bordin e drejtorëve dhe të emëroj një bord të përkohshëm në KRU ‘Mitrovica’, sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike, qeveria duhet t’i shkarkoj drejtorët kur ka arsye se kanë shkelur detyrat kryesore. Pasqyrat financiare për vitin 2018 janë audituar dhe ka dhënë një opinion të kualifikuar, kjo është se ato nuk janë sipas standardeve të kontabilitetit. Nuk ka prova se drejtorët kanë thirrur në përgjegjësi zyrtare ka përgatitur pasqyrat. Ndërmarrja ka dështuar në realizimin e projekteve ndërkombëtare dhe për pasojë është tërhequr ndihma nga Luksemburgu, si i vetëm donator për këtë ndërmarrje. Këto rrethana i japin arsye qeverisë së drejtorët kanë shkelur detyrat”, tha ajo. /Telegrafi/