Telegrafi

Shisnin produkte ushqimore me afat të skaduar, Policia arreston dy persona në Zveçan

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme ka arrestuar dy persona në fshatin Rudare në Zveçan.

Në njoftimin e bërë nga Policia e Kosovës thuhet se personat e arrestuar dyshohen të kenë kryer veprën penale “Tregti e ndaluar”.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K/Boshnjakë, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën e cekur duke bërë ndërrimin e afatit të skadimit në pakot e produkteve ushqimore dhe pastaj të njëjtat i kanë vendosur në treg për shitje. Njësitë policore së bashku me inspektorët e tregut në dy lokacione kanë gjetur dhe kanë konfiskuar produkte të ndryshme ushqimore me afat të skaduar, pajisje laserike për ndërrim afati dhe një pistoletë. Përveç këtyre janë konfiskuar dy vetura dhe tre telefona celularë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia bën të ditur se me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje./Telegrafi/