Telegrafi

Shikoni videon që riktheu shpresën në Kiev, 42 tanke dhe mjete luftarake ruse shkatërrohen në Donetsk

Ukrainasit kanë publikuar një video ku mburren se si forcat e Kievit shkatërruan 42 tanke dhe automjete luftarake ruse në rajonin e Donetskut, ku po vazhdojnë luftimet e ashpra.

Brigada e 58-të e motorizuar e Ukrainës ka filmuar me dron varrezat e makinerive të rënda ruse, raporton newsweek.

Lexo po ashtu Zelensky tregon se me çfarë faze të re të pushtimit rus po ballafaqohet Ukraina

“Një hap për në ferr. Dhjetëra tanke dhe automjete luftarake ruse u shkatërruan në një pjesë të vogël të vijës së frontit në rajonin e Donetskut”, tha Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës.

Videoja u shpërnda edhe nga Anton Gerashchenko, ish-këshilltar i Ministrit të Brendshëm të Ukrainës.

“42 tanke ruse të shkatërruara – rezultat i punës së komandës së Brigadës së 58-të të Motorizuar, në bashkëpunim me Brigadën Speciale Presidenciale dhe Brigadën 762”, ka shkruar ai.

Lexo po ashtu Gjermania do t’i furnizojë ukrainasit me super radarë – këto janë karakteristikat e TRML-4D

“Ushtarët e brigadës raportojnë se ky është rezultat i intensifikimit të ndjeshëm të luftimeve në drejtim të tyre në javët e fundit. Ritmi i luftimeve në atë pjesë të frontit nuk është ulur dhe gjeneralët rusë vazhdojnë të dërgojnë njësitë e tyre të mekanizuara në sulme të pafundme, pavarësisht nga viktimat”, thanë ata.

Ndryshe, ushtria ukrainase njoftoi të premten se forcat ruse kishin humbur 22 tanke në 24 orët e fundit, duke e ngritur numrin në një total prej 7,354 që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. /Telegrafi/