Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kandidati demokrat për mandatin e ri, Joe Biden, ka bërë një gafë të re në konferencën e fundit për shtyp.
Duke njoftuar marrëveshjen që do të bashkojë vendet e aleancës së NATO-s për të mbështetur Ukrainën, Biden deshi t’ia linte mikrofonin presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe me atë rast e prezantoi atë si “president Putin”.
Një video që tregon reagimin e Zelenskyt ndaj njoftimit të Bidenit është bërë virale në rrjetet sociale.
Presidenti i Ukrainës tundi kokën përpara se 81-vjeçari të kthehej në mikrofon dhe të përpiqej të korrigjonte gafën.
🇺🇸🇺🇦 Watch Zelensky’s reaction as Biden calls him Putin 😭 pic.twitter.com/TfVoAoryDX
— Censored Men (@CensoredMen) July 11, 2024
“Presidenti Putin? Ai do ta mposhtë presidentin Putin… Presidenti Zelensky. Jam shumë i fokusuar në mposhtjen e Putinit…”, tha Biden.
Më vonë, Zelensky u përgjigj “unë jam më i mirë se ai”, për të cilin Biden u përgjigj “ti je shumë më i mirë”.
Përveç kësaj, Biden pati një tjetër gafë në konferencën për shtyp, në të cilën ai e quajti zëvendëspresidenten e tij, Kamala Harris, “zëvendëspresidenti Trump”.
Këto janë vetëm të fundit në një seri gafash të Bidenit, vetëm katër muaj para zgjedhjeve presidenciale kundër Donald Trumpit. Pavarësisht presioneve të shumta, edhe nga disa demokratë, Biden ka thënë në disa raste se nuk do të tërhiqet nga gara presidenciale dhe se është i përshtatshëm për një mandat të ri, edhe pse tashmë është në dekadën e nëntë të jetës. /Telegrafi/