Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi ka thënë se edhe në seancën e kaluar e edhe sot po e dëshmojnë se në cilat vite dhe cilat qeveri është përdorur më shumë procedura tenderuese e kontratave njëburimore.
Rrustemi ua ka përmendur opozitës shumën e kontratave njëburimore që kanë nënshkruar në kohën kur ata ishin në qeveri.
“2008-2014 qeveri e udhëhequr nga PDK, 448 milionë euro ka qenë shuma e shpenzuar në kontrata njëburimore. 2015-2017 qeveri e udhëhequr nga LDK 158 milionë euro ka qenë shuma, 2018-2019 qeveri e udhëhequr nga AAK 120 milionë euro ka qenë shuma e shpenzuar në kontratat njëburimore”, tha Rrustemi.
Deputeti i LVV-së ka shtuar se 2008 është viti me më së shumti kontrata njëburimore në vlerë 164 milionë euro apo 19.86% e totalit të kontratave të nënshkruara.
Ai tha se kërkesa e opozitës për krijim të Komisionit Hetimor Parlamentar nuk është e arsyeshme.
Rrustemi tha se nuk ka asgjë të dyshimtë në këto kontrata që duhen hetuar.
“Në Qeverinë Kurti nuk ka korrupsion e ministra të korruptuar”, tha Rrustemi. /Telegrafi/