Site icon Telegrafi

“Shërbimi me nder ndaj vendit tënd”, shefi i AKI-së dhe ai CIA-s zbuluan pllakën e mirënjohjes ndaj SHBA-ve

“Asgjë nuk mund të të bëjë më krenar sesa shërbimi me nder ndaj vendit tënd!”. Ky ishte mesazhi që oficeri ushtarak amerikan, Joseph Burns, i kishte dhënë të birit të tij, William Burns, mesazh ky që tani qëndron i gdhendur në një pllakë simbolike në objektin qendror të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Kështu është bërë e ditur në një njoftim të lëshuar nga AKI. Ceremonia e zbulimit të kësaj pllake u mbajt më 22 gusht 2024.

“Në një ceremoni të mbajtur më 22 gusht 2024, Drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, së bashku me Drejtorin e CIA-s, William Burns, zbuluan këtë pllakë si shenjë mirënjohjeje të përhershme ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, CIA-s dhe personalisht z. Burns”, thuhet në njoftim.

Pllaka, përveç këtij mesazhi të fuqishëm, mban edhe emblemat e dy agjencive, duke simbolizuar lidhjen e fortë mes dy institucioneve.

E drejtori i Institutit Octopuc, Agim Musliu ka deklaruar se kjo pllakë është një nderim për drejtoni e CIA-s, William Burns.

“Kjo pllakë graniti e prezantuar nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) është një nderim për Drejtorin e CIA-s, William Burns, duke njohur rolin e tij të jashtëzakonshëm si aleati ynë më i madh. Dedikimi është realizuar me profesionalizëm të lartë dhe premton një të ardhme të ndritur për bashkëpunimin tonë. Fotot tregojnë qartë cilësinë dhe rëndësinë e këtij nderimi”, ka shkruar Musliu në “X”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version