Site icon Telegrafi

Shënuesi i ri i Aston Villës bëhet viral në rrjetet sociale, e ndërroi fanellën me Fabinhon, por kur e kuptoi se çfarë vlere kishte e vetja shkoi dhe e ktheu mbrapa

Louie Barry nuk do ta harrojë kurrë natën e të premtes mbrëma, kur shënoi golin e parë me fanellën e Aston Villës.

Klubi anglez, Aston Villa u përballë me Liverpoolin në kuadër të 1/32 së finales në Kupën FA, por një dit para ndeshjes e gjithë skuadra e parë u fut në karantinë pas rasteve me COVID-19.

Kjo bëri që Villa të paraqitet në sfidën ndaj Liverpoolit me lojtarë të ekipit U23 dhe më poshtë, duke iu dhënë rasti lojtarëve të rinj të luajnë ndaj yjeve të The Reds.

Liverpool fitoi me lehtësi 4-1 takimin, por te Villa u dalluan disa nga lojtarët e rinj me talentin që posedojnë.

Louie Barry shënoi golin e vetëm për vendasit, një gol që ai do ta mbajë në mendje gjatë gjithë jetës.

Megjithatë ajo që u bë virale pas ndeshjes në rrjetet sociale ishte shkëmbimi i fanellës mes Barryt dhe mesfushorit brazilian të Liverpoolit, Fabinhos.

17-vjeçari dukej i lumtur pasi siguroi fanellën e yllit brazilian, por u detyrua t’ia kthejë atij mbrapa sapo u futën në tunel.

Ishte njëri nga anëtarët e stafit të Aston Villës i cili i tha lojtarit se duhet t’ia kthejë fanellën Fabinhos, pasi duhet ta ruajë fanellën e tij debutuese me të cilën shënoi gol.

Sulmuesi i talentuar anglez shkoi në tunel dhe e mori mbrapa fanellën e tij, duke i thënë Fabinhos se dëshiron ta ruaj atë si kujtim, pasi ishte fanella e debutimit dhe golit të parë me ekipin e parë.

Fabinho e mirëkuptoi lojtarin e ri dhe ia ktheu fanellën, por gjesti i Barryt është bërë viral në rrjetet sociale dhe është komentuar jashtëzakonisht shumë. /Telegrafi/

Exit mobile version