Gjilani regjistroi fitore të madhe në derbin lokal kundër rivalit të qytetit Drita, në ndeshjen e javës së gjashtë në BKT Superligën e Kosovës në futboll.
Goli i parë u realizua nga Gerhard Progni, i cili ishte fantastik nga gjuajtja e lirë dhe topi me ndihmën e transversales hyri në portë.
Rezultati u dyfishua pas një kundërsulmi dhe aksioni të përfunduar në mënyrë të mrekullueshme nga Shend Kelmendi.
Duke folur pas ndeshjes, Progni e ka vlerësuar paraqitjen e bashkëlojtarëve të tij ndaj Dritës duke thënë se rëndësi më të madhe kanë tri pikët.
Mesfushori ka theksuar se kjo fitore do t’i shërbejë Gjilanit si motiv për të vazhduar përpara, meqenëse deri më tani nuk kishin arritur rezultatet e duhura.
Ai ka thënë se skuadra ka bërë lojë të mira, por kanë munguar rezultatet pozitive dhe se ky triumf do t’u ndihmojë nga ana psikologjike për ecurinë në kampionat. /Telegrafi/