Site icon Telegrafi

Shefja e FMN: BREXIT ka për qenë i dhimbshëm, ekonomia botërore do të ngadalësohet

Shefja e re e Fondit Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se çfarëdo lloj forme e BREXIT-it do të jetë “i dhimbshëm”, duke rritur efektin e ngadalësimit ekonomik botëror.

Kristalina Georgieva tha se shkëputja e Britanisë së Madhe nuk do të dëmtojë vetëm ishullin dhe Bashkimin Evropian, por gjithashtu vendet me të ardhura të ulëta që kanë lidhje ekonomike me ta. Të dhënat e FMN-së tregojnë se rritja ekonomike është ngadalësuar në pothuajse 90 për qind të vendeve të botës.

“Është tepër e qartë se ky BREXIT do të jetë i dhimbshëm. Zgjidhjet nuk janë të shumta, ose do të marrësh hua ose do të rrisësh taksat”, tha Georgieva për BBC, përcjell Telegrafi.

Ajo tha se politikanët e Britanisë së Madhe duhet të gjejnë një mënyrë për të mbrojtur njerëzit që preken nga BREXIT, por mundësitë për të financuar këto masa janë të limituara.

Lexo po ashtu Shefja e Fondit Monetar: Ekonomia botërore duhet të përgatitet për rënie

Duke folur përpara takimit vjetor të FMN-së në Washington që do të zhvillohet javën e ardhshme, Georgieva tha se FMN është gjithashtu e shqetësuar mbi efektet e BREXIT jashtë Britanisë së Madhe.

“Jam e shqetësuar veçanërisht për vendet me të ardhura të ulëta, të cilat varen në një mënyrë domethënëse nga Bashkimi Evropian dhe Britanisë së Madhe. Fatkeqësisht ky nuk është një lajm i mirë. Dhe po ndodh në një kohë kur kombinimi i faktorëve të tjerë po ngadalësojnë rritjen ekonomike”, u shpreh ajo për BREXIT.

Georgieva pas pozitë së numrit dy në Bankën Botërore është zgjedhur shefe e Fondit Monetar me një mandat pesë-vjeçar. /Telegrafi/

Exit mobile version