Telegrafi

Shefi i Wagner akuzon gjeneralët se kanë gënjyer Putinin për humbjet ruse në Ukrainë

Shefi i mercenarëve rusë Yevgeny Prigozhin akuzoi shefat ushtarakë rusë se kanë gënjyer presidentin Vladimir Putin për shkallën e humbjeve ruse.

Në një seri mesazhesh audio gjatë dy ditëve, Prigozhin përshkallëzoi kritikat e tij të përsëritura ndaj Ministrit të Mbrojtjes, Sergej Shoigu dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Gjëra të kota po hidhen në tavolinën e presidentit. Shoigu dhe Gerasimov kanë një qasje të thjeshtë. Gënjeshtra duhet të jetë monstruoze që njerëzit ta besojnë atë. Kjo është ajo që ata po bëjnë”, citohet të ketë thënë Prigozhin.

“Gjithçka po fshihet nga të gjithë. Rusia do të zgjohet një ditë dhe do të mësojë se Krimea (e aneksuar nga Rusia) u është dorëzuar ukrainasve”.

“Ata po mashtrojnë popullin rus dhe nëse vazhdon kështu, ne do të mbetemi pa gjënë më të rëndësishme: Rusinë”, ka shtuar ai. /Telegrafi/